Ragbi bashkon shqiptarët dhe serbët

Shqiptarë dhe serbë jetojnë të ndarë në qytetin e Mitrovicës, por ata i bashkon një sport që ka të bëjë pikërisht me fitimin e territorit, ragbi. AP sjell raportin nga një skuadër multietnike.

Sport

05/02/2014 22:47

Ata kanë kaluar më tepër se një shekull duke u ballafaquar mes vete por tani shqiptarët dhe serbët në qytetin e ndarë të Mitrovicës kanë filluar të punojnë së bashku nëpërmjet një sporti që ka të bëjë me fitimin e territorit: ragbi.

Trajnerë francezë, irlandezë dhe amerikanë janë duke ndihmuar të rinjtë nga të dyja anët të qytetit të krijojnë një klub të quajtur Kosovo Roosters Rugby Club, i pari në vend.

Jeremie Zeitoun, 29-vjeç, braktisi punën e tij në një grup bamirësie për t’u përqendruar në stërvitjen e ekipit dhe thotë se tashmë ka organizuar dy ndeshje ndërkombëtare, një kundër Malit të Zi, dhe një tjetër kundër Shqipërisë.

“Ne e humbëm të parën, por e fituam të dytën”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve AP, gjatë një seance stërvitore në fushën e mbuluar në Mitrovicë.

Stërvitjet filluan një vit më parë dhe tani lojtarët ushtrojnë çdo fundjavë. Kosova e deklaroi pavarësinë nga Serbia më 2008, por Beogradi refuzon vendimin dhe është zotuar se do të bllokojë çdo përpjekje të ish provincës, për zhvillimin e saj si shtet.

Serbia ka kundërshtar pjesëmarrjen e Kosovës si shtet në çdo sport, dhe ragbi pa dyshim se do të përballet me sfida të ngjashme.

Për Denis Dautin, president i Kosovo Roosters Rugby Club, ideja erdhi nga shtete të tjera që kanë ndarje të ngjashme, si Irlanda e Veriut dhe Afrika e Jugut, që kanë bashkuar anët e kundërta, për hir të sportit.

“Besoj se kemi arritur të bëjmë diçka”, deklaroi Dauti, derisa ia hodhi një sy skuadër së përzier.

Nenad Todorovic, 33-vjeç, student serb nga veriu i Mitrovicës ka thënë mund të lëndoni dikë gjatë ndeshjes, “por edhe kundërshtari, mund t’ju lëndojë ju, andaj duhet të keni kujdes”.