Ra vozi dhe u pamë

Ra vozi dhe u pamë, u pamë edhe një herë me të gjithë ju që futët veshët në lesh, sikur të bëhej fjalë për ndonjë ngjarje në Bangladesh!

Opinion

15/01/2017 20:34

I futët veshët në lesh dhe s’u bëtë të gjallë, as pro dhe as kundër, për faktin e vetëm pse shteti, Presidenti, Qeveria dhe institucionet tjera të tij, kryen detyrën e tyre duke zbatuar ligjet dhe zbatuar Kushtetutën e Kosovës, në mbrojtje të rendit kushtetues, sigurisë së qytetarëve dhe integritetit territorial të vendit.

Të mësuar për të qenë kujdestarë non stop të dështimeve të qeverisë dhe bërë detyrën tuaj opozitare, me letra e pa letra, me heshtjen tuaj sikur u zutë të pa përgatitur, prandaj nuk mundet të tejkaloni veten tuaj, inatet, shpirtngushësinë dhe kapriciet tuaja personale, dhe të vlerësonit meritueshëm e të përkrahnit veprimin që bëri mbrëmë shteti i Kosovës, duke ia arritur ta ndalë me sukses vozin e nacionalizmit dhe shovenizmit serbo-rus që të mos hyjë në Kosovë, veprim që i bëri të ndjehen krenarë shumë shqiptarë, pavarësisht vendndodhjës së tyre.

Ju jeni nga ata që s’u shpëton asnjë pordhë e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit. Dhe, rrjedhimisht, në funksion të rolit opozitar, e ngrisni zërin dhe shfaqni kundërshtimin tuaj.

Pa dyshim: opozitarizmi është begati për çdo vend. Është në funksion të demokracisë dhe, rrjedhimisht, është dhe promotor i saj. Por, opozitarizmi e tejkalon veten e tij, përmasat progresiste, kur deformohet dhe shndërrohet në karikaturë. Kur interesi personal dhe ai partiak e nxjerrë në plan të dytë apo dhe e lë fare nën hije interesin shtetëror. Pikërisht heshtja para veprimeve pozitive të shtetit, mos përshendetja apo dhe tendenca për t’i zhvlerësuar e banalizuar deri ku nuk mbanë më, është një nga treguesit e një gjendjeje të tillë. S’e besoj që të jeni të vetëdijshëm që me një qëndrim të tillë pozicionoheni jo kundër qeverisjës, si opozitarë, por kundër shtetit. Dhe se, rrjedhimisht, krahas miqve, kështu iritoni edhe elektoratin tuaj, këtë që aktualisht e keni oas vete si dhe atë që synoni ta keni.

Fare nuk shkojnë bashkë, por nxjerrin shumë pikëpyetje në sipërfaqe qëndrimi juaj, kundërshtimi dhe protesta e juaj, kundër ndalimit të pa drejtë në Francë të komandantit, nga më të dalluarit, të UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe mos vlerësimi meritor apo dhe heshtja përballë veprimeve të institucioneve të shtetit në mbrojtje të sovranitetit dhe ligjeve të shtetit për të cilin luftoi dhe sakrifikoi shumë edhe Haradinaj.

Logjika për t’i vlerësuar veprimet pozitive të shtetit mbi bazën e asaj se kush, cili President a Kryeministër, i ndërmerr këto veprime, të preferuarit dhe idolët tuaj, apo ata të tjerët, të përkatësisë tjetër politike, është logjikë shkurtpamëse. Ajo nxjerrë në sfond pozicionin tuaj politik qesharak.

Nuk hynë në listën e detyrave opozitare heshtja, mospërkrahja apo dhe shpotitja e sjelljeve dhe vepimeve të drejta të pushtetit, në funksion të ruajtjes së shtetit dhe mbrojtjës së kushtetutës së tij.

Ky pushtet, Qeveria dhe Presidenti, ka mbi 1000 veprime, gabime dhe sjellje të gabuara, të cilave duhet bërë opozitarizëm, të heshtur apo dhe të zëshëm. Por, jo veprimit të tij të djeshëm ndaj provokimit dhe tentiminvadimit të Beogradit përmes vozit rus të nisur në drejtim të Kosovës.

Sërish: ra vozi dhe u pamë!