Qytetet në SHBA përkujtojnë veteranët amerikanë

Nesër është Dita Përkujtimore e Veteranëve. Në qytete në mbarë Shtetet e Bashkuara janë ngritur memoriale për bijtë e tyre që luftuan dhe dhanë jetën, duke filluar që nga Revolucioni Amerikan i vitit 1776 dhe deri në konfliktet në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme.

Bota

28/05/2017 17:03

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Faith Lapidus, edhe në kryeqytetin amerikan, Uashington, gjenden disa nga monumentet më të mirënjohura të Amerikës.

Janë mbi një dyzinë memorialesh në nderim të atyre që dhanë jetën për Shtetet e Bashkuara. Ndër më të njohurit, është Memoriali i Luftës i Korpusit të Marinsave. Statuja e marinsave që ngrejnë flamurin në ishullin japonez Iëo Jima gjatë Luftës së Dytë Botërore është modeluar sipas një fotografie të marrë gjatë betejës në vitin 1945. Memoriali i dedikohet të gjithë marinsave të vrarë që nga viti 1775.

Megjithëse shumë monumente përmbajnë statuja të ushtarëve, Memoriali Kombëtar i Luftës së Dytë Botërore shfrytëzon arkitekturën për të nderuar të mbiquajturën “gjeneratë të madhërishme”. Panele bronzi dhe shtylla graniti përfaqësojnë vitet e luftës dhe unitetin e kombit. Aty gjenden rreth 4 mijë yje të artë në kujtim të mbi 400 mijë amerikanëve që dhanë jetën gjatë atij konflikti.

Një tjetër mur përkujton mbi 58 mijë amerikanët që dhanë jetën gjatë një lufte që e përçau vendin. Me një sipërfaqe të zezë graniti dhe emra të gdhendur mbi të, Memoriali i Veteranëve të Vietnamit shkaktoi po aq debat kur u inaugurua në vitin 1982, sa edhe vetë lufta. Por, tashmë ai është ndër memorialet më të fuqishme dhe më popullore, që tërheq miliona vizitorë çdo vit. Shumë njerëz lënë aty lule, shënime dhe fotografi.

Memoriali i Veteranëve të Luftës së Koresë është gjithashtu një monument i pazakontë ushtarak. Si një ndër memorialet më të vonshëm, aty janë 19 statuja dy metra të gjata të personelit të ushtrisë, marinsave, marinës detare dhe forcave ajrore, të inskenuar në një fushë orizi koreane. Edhe këtu ka një listë të njerëzve që dhanë jetën gjatë konfliktit tre-vjeçar.

Tre harqet e Memorialit të Forcave Ajrore lartësohen në horizont duke simbolizuar fluturimin. Në vend që të përkujtojë një konflikt të caktuar, memoriali nderon shërbimin dhe trashëgiminë e burrave dhe grave të Forcave Ajrore të SHBA-së, si dhe pionerët e aviacionit.

Në Ditën Përkujtimore të Veteranëve, këto monumente kundrohen me një domethënie të veçantë. /VOA/