Qytetarët u vetëdijesuan

Behlul Beqaj thotë se partia politike që ka fituar më së shumti në këto zgjedhje është Lista ‘Srpska’, e cila me mbi 20 mijë votues ka dalë fituese në nëntë komuna të Kosovës.

Lajme

05/12/2013 08:48

Analisti dhe politologu Behlul Beqaj thotë se suksesi më i madh i zgjedhjeve lokale është se qytetari e ka kuptuar se pushtetarët varen nga vota e tij.

Beqaj ka thënë për “Epoka e Re” se tani po shihet se ka vetëdijesim qytetarë.

“Konsideroj se suksesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është fakti se qytetari ka kuptuar që pushtetarët më në fund varen nga vota e tyre”.

Duke folur për rezultatet zgjedhore, Beqaj thotë se fituesja më e madhe në këto zgjedhje është Lista “Srpska”.

“Partia politike që ka fituar më së shumti në këto zgjedhje është Lista ‘Srpska’, e cila me mbi 20 mijë votues ka dalë fituese në nëntë komuna të Kosovës. Nëse e kemi edhe SLS’në, fituesit absolutë të këtyre zgjedhjeve janë serbët, të cilët me rreth 21 mijë votues kanë fituar aq komuna sa ka fituar edhe PDK’ja me mbi 200 mijë vota të qytetarëve”.

“Rënia e rreth 20 mijë votuesve dhe humbja e disa komunave të mëdha nga PDK’ja tregon se, nëse trendi i humbjes vazhdon kështu, ai nuk do të ndalet në këtë parti”.

Beqaj ka komentuar edhe humbjen e LDK’së në Kryeqytet.

“Humbësi dhe fituesi mund të vlerësohen vetëm pasi të shihet se sa elemente pozitive ka sjellë, në rastin konkret të LDK’së fitorja në gjashtë komuna të mëdha dhe humbja e kryeqytetit. Këtë punë duhet të bëjnë ata që janë në LDK”.

Ndërsa humbja e AAK’së në katër komuna, sipas Beqajt, ka ndodhur për shkak të gafeve të liderit të saj.

“Kur është në pyetje AAK’ja, ajo është viktimë e gafeve të shumta të cilat i ka bërë lideri i saj, Ramush Haradinaj, prej momentit kur është kthyer nga Haga e deri më sot”.