Qytetarët kujtojnë 24 marsin 1999

Fillimi i fushatës ajrore të NATO-së, për qytetarët e Kosovës ishte moment i lumtur, por edhe i frikshëm. Ata thonë se me optimizmin është përcjellë edhe frika nga forcat serbe që kishin filluar fushatën e vrasjeve dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.

Lajme

24/03/2014 19:39

Sot shënohet 15 vjetori i fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, mbi forcat serbe në Kosovë. Kjo dit për qytetarët e Kosovës ishte moment shprese që i bënte të mendojnë se po i vinte fundi dhunës që Serbia po ushtronte mbi ta.

Në këtë përvjetor, qytetarë të anketuar nga lajmi.net, kujtojnë ato momente që sipas tyre ishin vendimtare dhe historike për vendin.

Astriti nga Prishtina thotë se NATO i dha fund një dhune dhe gjenocidi të bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Është një ditë e gëzueshme për ne sepse në atë moment NATO i ka dhënë fund një dhune në Kosovë. Kemi qeni shumë të lumtur”.

Osman Jakupi, qytetar nga Skenderaj, thotë se përveç gëzimit që kanë pas në ato momente, kishin edhe frikën nga hakmarrja e ushtrisë serbe.

“Ne ishim në malet e Drenicës, në vendlindje, ishte një lajm shumë i mirë për ne, megjithatë, ishim të vetëdijshëm se ushtria serbe do ta përdorte tërë arsenalin e vetë për me e shprehë mllefin e vet”.

“Përdorte forcat e fundit për të bërë spastrim etnik, vrasje, maskara, dhunime. Ishte moment që me shekuj e kishim pritur. Edhe një herë na dolën në ndihmë miqtë tanë që kaherë ishin të interesuar për fatin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”.

Musli Krasniqi mësues nga Prishtina, kujton publikimin e lajmit në media për sulmet e NATO’s.

“Këto janë përjetime që nuk mund t’i harrojë askush. E di që kam qenë duke i dëgjuar lajmet këtu në Prishtinë. Ka qenë një gëzim i madh për neve kjo ngjarje sepse i vente era liri.  Ka qenë një moment që nuk harrohet lehtë”.

“E kemi pasur një përkrahje të madhe nga NATO, e kemi pritë atë ditë se përndryshe nuk kishim me shpëtuar”.

Më 24 mars, forcat e NATO-së kishin filluar sulmet ajrore mi caqet ushtrisë dhe policisë serbe që po ushtronin gjenocid ndaj qytetarëve të Kosovës. Fushata ajrore e NATO-së, kishte zgjatur 78 ditë.