Qytetarët e Prishtinës të kënaqur me shërbimet e Zyrës së gjendjes civile

Në bazë të një hulumtimi që ka bërë Komuna e Prishtinës, 97 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me shërbimet që i ofron Zyra e gjendjes civile në kryeqytet.

Lajme

24/12/2014 16:33

Qytetarët e Prishtinës janë shprehur të kënaqur me shërbimet që i ofron Zyra e gjendjes civile .

Të paktën kështu thonë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të cilët i referohen të dhënave nga një hulumtim që e kanë bërë gjatë muaji dhjetor.

Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Muhedin Nushi ka thënë se në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 1,590 qytetarë, nga të cilët plotë 97 për qind janë shprehur shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara.

“Në pyetjen se sa janë qytetarët të kënaqur me këto shërbime, janë ofruar tri opsione: shumë i/e kënaqur, i/e kënaqur dhe i/e pakënaqur. 1,590 qytetarë i janë përgjigjur këtyre pyetjeve, prej të cilëve 50 qytetarë janë përgjigjur se janë të kënaqur, të pakënaqur asnjë dhe 1,540 të tjerë janë shprehur si shumë të kënaqur, që përkthyer në përqindje i bie se 97% e qytetarëve janë shumë të kënaqur me shërbimet që i ofron Zyra e gjendjes civile”, tha Nushi.

Ai këto të dhëna i bëri të ditur të mërkurën gjatë prezantimit të tri projekteve të reja për avancimin e shërbimeve të administratës, ueb faqen e re të Komunës së Prishtinës, aplikacioni “online”, si dhe virtualizimin e Zyrës së gjendjes civile.