Qytetarët e dinë se kush merr detyra nga PDK’ja

Ismet Beqiri i LDK’së i përgjigjet homologut të vet nga AAK’ja, Burim Ramadanit, se partia e tij po merr detyra nga PDK’ja, duke thënë se Kosova është vend i vogël ku gjithë qytetarët e dinë kush i shërben partisë në pushtet.

Lajme

24/01/2014 09:02

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, i është kundërpërgjigjur akuzave të sekretarit të përgjithshëm të AAK’së, Burim Ramadani, një ditë më parë kishte deklaruar se LDK’ja është duke marrë detyrë nga PDK’ja.

Ismet Beqiri ka thënë se të gjithë qytetarët e dinë se kush ka qenë argat i PDK’së gjatë këtyre viteve.

“Kosova është vend i vogël dhe të gjithë qytetarët e dinë se kush gjatë këtyre dy vjetëve i ka kryer punë PDK’së. Opinioni i di këto gjëra. Të gjithë e dinë se në disa séance AAK’ja nuk na ka përkrahur neve, por Qeverinë, madje edhe kur e ka pasur keq”, ka thënë Beqiri në një intervistë për “Epoka e Re”.

“Në këtë kontekst, më vjen keq, sepse është për keqardhje një deklaratë e tillë. Ramadani duhet ta dijë se guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës nuk është zgjedhur me votat e deputetëve të LDK’së”.

Por, pavarësisht akuzave të Ramadanit, Beqiri ka thënë se “LDK’ja nuk dëshiron të merret me AAK’në, por me zgjedhjet parlamentare”. Në këtë kontekst, Beqiri ka thënë se partitë në pushtet nuk duhet të jenë komode deri në qershor ose shtator sepse, sipas tij, zgjedhjet parlamentare mund të mbahen edhe më herët.

“Në asnjë rrethanë nuk e përjashtojmë këtë mundësi. Për këtë çështje me kohë do t’i shihni zhvillimet dhe veprimet konkrete”.

Ai nuk e ka pohuar e as mohuar ngritjen e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë e Kosovës.

“Prej kësaj Qeverie pritet gjithçka. Pritet edhe të rrëzohet, edhe ta rrëzojmë. Ju e dini se herën e kaluar kjo Qeveri është rrëzuar vetë”.

“Prandaj, çdo gjë është e pritshme, por ajo çfarë e them me përgjegjësi është se këtë vend duhet ta qeverisë LDK’ja”, ka thënë Ismet Beqiri për ‘Epoka e Re’.