Qytetarët ankohen për grumbujt e mbeturinave në Pejë/FOTO

Qytetarët e Pejës po ankohen për praninë e madhe të mbeturinave në rrugët e qytetit.

Lajme

21/08/2018 14:17

Ilir Rizvanolli tha se prania e madhe e mbeturinave pranë lokalit të tij po e pengon atë dhe po e dëmton biznesin e tij.

“Në këtë vend ku unë ushtroj biznes kam probleme të mëdha pasi që afër dyqanit tim banorët përreth hedhin mbeturina ndërsa në lokal nuk mund të qëndrosh prej erës që vjen nga ato mbeturina. Tash 1 vit e gjysmë vuaj nga ky problem dhe akoma nuk është ndërmarrë asgjë“, tha ai.

Ndërsa drejtori i organizatës joqeveritare “Syri i Vizionit“, Veton Mujaj tha për KALLXO.com, se qytetarët e Pejës janë të zhgënjyer me problemet që po krijohen nga mbeturinat dhe se Peja është në kolaps nga kjo gjendje.

“Është vërtetë shqetësues fakti se ndërmarrja “Ambient“ dhe Komuna e Pejës nuk po janë në gjendje të krijojnë një sistem për menaxhimin e mbeturinave dhe kjo çështje po keqësohet çdo ditë e më shumë. Qytetarët janë tejet të zhgënjyer me problemet që po krijohen nga mbeturinat kudo në Pejë. Numri i deponive ilegale po rritet gjithandej nëpër fshatra e lagje. Pos qytetit edhe zona turistike e Rugovës është keq në ketë drejtim“, tha Mujaj.

Drejtori i Inspekcionit Komunal në Pejë, Leotrim Murtezaj tha për Kallxo.com se kjo prani e mbeturinave është pasojë edhe e numrit të vogël të inspektorëve të ambientit.

“Kompetencë e inspektoriatit është të monitorojëdhe me zënë qytetarët duke i hedhur mbeturinat në rrugë edhe me i dënu. I kemi vetëm dy inspektorë të ambientit dhe e kemi shumë vështirë me mbulu territorin e Pejës. Besojmë që së shpejti do të zgjidhen këto probleme dhe sezoneve tjera nuk do të kemi këso problem”, tha Murtezaj.

Ndërsa drejtori i Ambientit, Nexhat Abdullahu, për KALLXO.com tha se ardhja e mërgimtarëve në sezonin e verës, ka ndikuar në rritjen e mbeturinave.

“Edhe kjo javë mundet me kanë kështu, sikur çdo sezonë tjetër edhe këtë sezonë e kemi pasë këtë problem të cilin po punojmë maksimalisht ta eliminojmë. Jemi duke punuar 20 orë në ditë. Javën tjetër besojmë se do t’i rikthehemi normalitetit”, tha Abdullahu.