Qytetarët ankohen për faturat e mëparshme të Termokosit

Ndonëse të kënaqur me furnizimin e ngrohjes gjatë dy vjetëve të fundit, qytetarët ankohen për faturimin gjatë viteve 2009-2015, kohë për të cilën thonë se nuk furnizoheshin nga Termokosi.

Lajme

18/11/2017 21:49

 

Zyrtarë të ngrohtores thonë se faturat e asaj kohe kanë qenë të bazuara në shërbimet që i kanë dhënë, derisa kanë shtuar se borxhet e akumuluara mund të shlyhen pjesë-pjesë.

Ndonëse banorët e lagjes “Dardania” në Prishtinë në dy vitet e fundit janë të kënaqur me furnizimin me ngrohje qendrore, ata po i shqetëson një fakt tjetër. Ata janë të ngarkuar ta paguajnë borxhin e akumuluar gjatë viteve 2009-2015, periudhë për të cilën thonë se nuk kanë pasur ngrohje. Kjo shumë e faturave është vështirë e përballueshme të paguhet, thekson Ejup Dumani, banor i kësaj lagjeje.

Në lidhje me shqetësimin e banorëve, Naser Canolli, Kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, tha së faturat gjatë asaj periudhe janë lëshuar në bazë të ditëve sa kanë pasur ngrohje, por që ngrohtorja e qytetit ua mundëson t`i paguajnë ato fatura me afatizime mujore, si formë e lehtësimit.

Po ashtu Canolli njoftoi se nga viti i ardhshëm banorët që ngrohen me Termokos nuk do të faturohen në bazë të metrit katror por aq sa shpenzojnë, në bazë të njësive matëse të cilat pritet të vihen në funksion.

Sidoqoftë, gjatë dy viteve të fundit, rreth 84% të qytetareve i kanë kryer obligimet e pagesave ndaj Termokosit, kurse për pjesën e mbetur, Canolli bën thirrje që t`i kryejnë. /RTK