Quinti ka porosi për Kosovën, e veçanërisht për “bllokmenët” e saj

Liderët e partive politike duhet të ulen në një tavolinë, të binden se kryetari i Kuvendit nuk mund të zgjidhet sipas tekeve të dikujt, por sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të dëgjojnë propozimet e presidentes Atifete Jahjaga dhe natyrisht të formojnë qeverinë ata që kanë numrat.

Lajme

15/10/2014 14:46

Kështu ka deklaruar për lajmi.net një diplomat i lartë i njërës prej ambasadave të shteteve anëtare të Quin-it (Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), duke përcjell në njëfarë mënyre edhe opinionet e shumicës së kolegëve të tij, që ata kanë lidhur me ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit në Kosovë.

“Kjo që po ndodhe në politikën kosovare përveç se e turpshme mund të përfundojë edhe me pasoja për shtetin e ri, për të cilin ne në vazhdimësi kemi dhënë ndihmën tonë për çlirimin dhe pavarësimin e tij, dhe më pas për konsolidimin e institucioneve, të demokracisë dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë ky burim me kusht anonimiteti.

Ai ka thënë se sinjali i parë për zhgënjimin që kanë vendet e Quint-it është lëshuar nga Shtetet e Bashkuara me anulimin e një vizite të nivelit të lartë të planifikuar gjatë këtij muaji, por sipas këtij burimi, vendime të këtilla shumë shpejt mund të merren edhe nga Britania dhe Gjermania.   

“Gjithçka është e qartë, prandaj edhe nuk po ndërhyjmë direkt në tejkalimin e kësaj situate. Indirekt ua kemi bërë me dije të gjithë liderëve të partive politike se ngërçi i krijuar është artificial, dhe se duhet lënë mënjanë inatet dhe pretendimet që bien në kundërshtim me votën e qytetarëve dhe Kushtetutën”.

“Sepse, ne vlerësojmë se është më e lehtë të prishet një pazar  mes disa partive politike se sa të shkelet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i rregulloreve juridike dhe Kushtetutës së Republikës, asaj që keni. Ndryshe kjo do të përbënte precedent të rrezikshëm dhe do të shkatërronte të arriturat e deritashme”, ka thënë ky diplomat.

Ky burim e ka bërë të qartë për lajmi.net se bashkimi i disa partive politike me qëllim për të marrë pushtetin, betimi për të mos krijuar koalicion me PDK-në, si dhe ndarja e posteve brenda koalicionit paszgjedhor në rast se do të vijnë në pushtet, ka shkaktuar ngërçin politik në Kosovë.

Përfaqësuesit koalicioni paszgjedhor i partive, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje vazhdojnë takimet e përbashkëta, por ende nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për ridefinimin e marrëveshjes fillestare, përkundër kërkesave që kanë ardhur nga disa deputetë të partisë më të madhe të këtij koalicioni, LDK-së.

Sipas marrëveshjes së arritur, AAK-së i ishte dhënë posti i kryeministrit, kurse LDK-së ai kryetarit të Kuvendit, me shpresë se pas mbarimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga do të merr nën drejtim edhe postin e presidentit të shtetit.

Mirëpo për LDK-në edhe posti i kryeparlamentarit është i paarritshëm, siç edhe është parë deri më tani gjatë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit, pasi shumica parlamentare në të cilën thirret ky “bllok” është jolegjitime derisa të mos zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e këtij kuvendi.