Quhet i turpshëm vendimi i Stacionit të autobusëve për t’u marrë nga 10 centë udhëtarëve

.

Lajme

24/09/2017 18:53

Vendimi i Stacionit të Autobusëve që qytetarët të paguajnë 10 centë taksë për të udhëtuar jashtë Prishtinës është parë si i turpshëm nga kandidati i AAK-së për kyetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu.

Ai thotë se kjo mënyrë e trajtimit të qytetarëve është fytyra e pushtetit lokal, sipas tij është e turpshme që qytetari të ngarkohet me pagesë çfarëdo qoftë ajo.

Ndërsa, Lirak Çelaj i PDK-së thotë se po merret me fushatë dhe për këtë çështje do të dalë më vonë me një qëndrim.

Arban Abrashi i LDK-së ka kërkuar të prononcohet më vonë, ndërsa kandidati i partisë Nisma dhe ai i AKR-së nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës së sotme.

“Nuk kam ndonjë qëndrim tash, do të dalë më vonë me ndonjë qëndrim. Jom ka merrem me fushatë”- tha Çelaj të dielën për Express.

Ndërsa, Vllahiu thotë se kjo mënyrë e trajtimit të qytetarëve është saktësisht fytyra e pushtetit të sotëm lokal në Prishtinë. Inatçore, e hasmëruar me secilin dhe posaçërisht e inatosur me qytetarin.

“Pagesa shtese per qytetarin eshte pasoja e konfliktit te pushtetit lokal me ndermarrjet publike. Eshte e turpshme qe te ngarkohet qytetari, pavaresisht nga shuma e pageses. Asnje stacion, as ne Londer, as ne Stockholm, as ne Neë York as askund nuk ka nje ngarkese te tille. Madje nuk jame te rrethuar si stacioni i Prishtines, ku eshte krijuar geto e pushtetit lokal”- tha Vllahiu të dielën për Express.

Kandidati nga NISMA, Shyqyri Bytyqi nuk është përgjigjur gjatë ditës së sotme, ndërkohë që kandidati i AKR-së, Selim Pacolli nuk ka qenë i qasshëm.

Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë Ylber Çitaku ka paralajmëruar se ky vendim do të zgjasë deri sa organet kompetente të vendosin rend dhe rregull në çështje.

Rikujtojmë se qytetarë të shumtë kanë kundërshtuar vendimin për të paguar 10 centë taksë për Stacionin. Numër i madh i tyre kanë reaguar nëpër rrjete sociale duke thënë që mjaftojnë që i paguajnë  çmimet e shtrenjta të biletave dhe se nuk duan të paguajnë taksë shtesë.