Qosja vazhdon me akuza kundër Isa Mustafës

Akademik Rexhep Qosja nuk ka vonuar t’i përgjigjet edhe sot kryeministrit Mustafa, i cili ka thënë se nuk i heq asnjë germë biografisë së tij.

Lajme

14/12/2014 14:16

E akademik Qosja ka shkruar se e Kryeministrit të ri të Kosovës po mburret që i ka shërbyer kriminelit më të madh në Ballkan, Sllobodan Millosheviq.

Reagimi i plotë i Qosjes:

“Në shkrimin tim për inaugurimin e Isa Mustafës kryeministër i Kosovës, në të vërtetë për çapitjen e tij skajshëm të pasigurt nëpër tepih të kuq anash të të cilit qëndronte Garda Ceremoniale e FSK-së, fytyrskuqur më shumë se ai tepih, kam folur vetëm për një pjesë të jetëshkrimit politik të Isa Mustafës: kam folur për pjesën e turpshme e kriminale të jetëshkrimit të tij kur ai ishte kryetar i Qeverisë së Prishtinës që merrej me fatin shoqëror, politik e policor të prishtinasve e, mandej, kur ai ishte ministër i Qeverisë së Kosovës, të zgjedhur më 4 dhjetor 1989 që zbatonte dhunën dhe terrorin e Sllobodan Millosheviqit, qoftë edhe duke vrarë të rinjtë shqiptarë të cilët po protestonin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në atë shkrim, ndërkaq, nuk shkrova edhe për disa të dhëna që e bëjnë të turpshme dhe fyese zgjedhjen e Isa Mustafës kryeministër i Kosovës.

Nuk shkrova e po shkruaj tani, se Isa Mustafa iku prej Kosovës kur në Kosovë u krijuan disa parti politike, kur krejt Lidhja e Komunistëve të Kosovës u bë Lidhje Demokratike e Kosovës, e kjo domethënë se Isa Mustafa iku prej Kosovës jo duke ikur prej atij të cilit i shërbente me përkushtim – Sllobodan Millosheviqit, por iku prej shqiptarëve, në vrasjen e bijve e bijave të të cilëve kishte marrë pjesë si ministër i qeverisë së Kosovës që urdhëronte policinë të shuante protestat e tyre.

Nuk shkrova e po shkruaj tani, se zgjedhjen e Isa Mustafës kryeministër i Kosovës e bën të turpshme dhe fyese edhe zgjedhja e tij ministër i financave të Qeverisë në egzil dhe e bën të turpshme dhe fyese për shkak se në atë punë të tij ministrore-financiare janë të përmbajtura mistere, për të cilat është shkruar e po shkruhet prej disa shqiptarëve që jetojnë në Evropë e për të cilat një ditë pashmëngshmën ai do të detyrohet të japë llogari.

Nuk shkrova e po shkruaj tani, se zgjedhja e Isa Mustafës kryeministër i Kosovës është e turpshme dhe fyese për një shtet të së drejtës edhe për arsye se ai u zgjodh kryeministër duke qenë i përmendur në shumë dosje që tashmë i janë dorëzuar prokurorisë së Kosovës për keqpërdorime të rënda në Komunën e Prishtinës derisa ai ishte kryetar i saj.

Nuk shkrova e po shkruaj tani, se zgjedhja e Isa Mustafës kryeministër i Kosovës është e turpshme dhe fyese, përpos të gjitha këtyre arsyeve edhe për arsye, se ai duke rënë në konflikt interesi, që është korrupsion i rëndë, shpërdoroi detyrën e kryetarit të LDK-së dhe detyrën e kryetarit të Prishtinës dhe u bë anëtar i shtëpisë private e quajtur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës pa kurrfarë merite shkencore e intelektuale në të kaluarën e në të tanishmen.

Nuk shkrova e po shkruaj tani, se zgjedhja e Isa Mustafës kryeministër i Kosovës është e turpshme dhe fyese për vetëdijen historike dhe atdhetare të Kosovës edhe për shkak se të gjitha të dhënat e sipërthëna që ende s’janë e gjitha, dëshmojnë se ai është një mashtrues politik që në jetën politike të Kosovës ka rikthyer mentalitetin politik dhe pushtetor të UDB-së jugosllave të cilën e karakterizonte urrejtje e madhe ndaj Shqipërisë që ai, Isa Mustafa, e dëshmoi edhe pak javë para se të zgjedhej kryeministër dhe të cilën ai e dëshmoi edhe në fjalimin e tij mashtrues programor para Kuvendit të Kosovës.

Është e nevojshme, që Kosova të merret me të kaluarën e saj.

Është e nevojshme që Kosova të krijojë vetëdije të saktë e të drejtë për të kaluarën e saj prej vitit 1945 e deri sot.

Është e pashmangshme se kjo ditë kur Kosova do të pastrojë të kaluarën e saj do të vijë dhe në këtë ditë të ardhur Kosova do të pastrohet edhe prej Isa Mustafës, që sot është bërë simbol i mashtrimeve, nëpërbaltjeve, pabesive, tradhtive dhe krimeve politike, që, ja, mburret me gjuhë agresive e kërcënuese për atë të kaluar të tij!

Siç shihet prej përgjigjes së tij, Isa Mustafa mund të provojë kohë pas kohe edhe tani të flasë me gjuhën me të cilën fliste kur ishte shërbëtori nënbisht i Rrahman Morinës dhe i Millosheviqit. Por, Isa Mustafa duhet ta dijë, se as inteligjencia e Kosovës e as Kosova nuk janë më ato që ishin në kohën kur qeveria në të cilën ishte ky ua vriste shqiptarëve bijtë e bijat në protesta, kur shqiptarët i nxirrte prej banesave për të futur në to serbë, kur kjo qeveri ndërtonte fshatëra e lagje nëpër qytete të Kosovës për të sjellë kolonistë të rinj serbë, në të vërtetë kur bënte çka donte mendja e Isa Mustafës e terratisur dhe e blerë prej pushtetit neostalinist, shovinist, terrorist të Sllobodan Millosheviqit.

Shpresoj, shumë shpresoj, se Kosova, megjithatë, nuk do ta durojë gjatë këtë fyerje që ia ka sjellë zgjedhja e shërbëtorit të Rrahman Morinës dhe Sllobodan Millosheviqit, Isa Mustafës, kryeministër i Kosovës.

I them Isa Mustafës dhe u them shërbëtorëve të tij të përulur në parti e në disa media që të mos mbajnë gajlen e moshës sime dhe të shëndetit tim: unë do të jam ky që isha e që jam deri në fundin e jetës. Unë s’jam bërë shkrimtar për t’u quajtur shkrimtar, unë jam bërë shkrimtar për ta mbrojtur këtë popull me fjalën time prej shkelësve të lirisë së tij, prej mashtruesve politikë e të tjerë, prej vjedhësve, prej të korruptuarve, prej zhvatësve të pasurisë së tij, domethënë unë jam bërë shkrimtar për të mbrojtur të drejtën e të vërtetën që e bëjnë të kuptimshme jetën e popullit, e që aq tmerrshëm po ia nëpërkëmbin mashtruesit dhe kriminelët politikë të tipit të Isa Mustafës.

Në qoftë se Isa Mustafa s’mund t’i durojë të drejtat e të vërtetat që për të shqipton Rexhep Qosja e intelektualë të tjerë, unë, megjithatë, nuk mund ta ngushëlloj; besoj të jetë i vetëdijshëm për vendosmërinë time që popullit i cili më ka rritur do të vazhdoj t’i shërbej si gjithnjë deri sot vetëm me të drejta e të vërteta. Kam qenë dhe mbetem i vetëdijshëm deri në ditën e fundit të jetës se vetëm ashtu i bëj shërbimin më të madh të sotmes dhe të ardhmes së tij”.