Qosja: Me zemër e me mendje kundër Gjykatës Speciale

Akademik Rexhep Qosja thotë se është kundër krijimit të Gjykatës Speciale e cila do të merrej me krimet e supozuara të ushtarëve të UÇK-së.

Lajme

11/04/2014 07:28

Në një intervistë për “Epoka e Re”, Akademik Qosja thotë se institucionet e Kosovës do të duhej të mos pajtoheshin për krijimin e kësaj Gjykate.

“Unë jam me zemër e me mendje kundër themelimit të kësaj Gjykate të quajtur Speciale që do të merrte krime të supozuara të ushtarëve që kanë bërë luftë të drejtë çlirimtare”.

“Institucionet e Kosovës që më herët është dashur të jenë mospajtueshëm më të këmbëngulta se ç’janë treguar si ndaj kësaj kërkese ashtu dhe ndaj disa kërkesave të tjera të faktorit ndërkombëtarë”.

“Arsyeshmëria e mospajtimit me kërkesën për themelimin e kësaj Gjykate bëhet e madhe, bëhet, mandej vendimtare kur dihet se ideatori i krijimit të saj është serbofili i furnizuar me të dhëna të rrejshme prej Beogradit, zvicerani Dick Marty”.

Qosja thotë se dëmtimi i imazhit të Kosovës nga kjo Gjykatë, varet nga rezultatet që mund të nxjerrë ajo. Ai thotë se nëse gjyqtarët duan të njollosin luftën e UÇK-së, do të mund të dënojnë komandantët për disa krime si “dhënja e një apo dy shuplakave” dikujt.

“Kjo varet kryekëput prej “rezultateve” të asaj gjykate. Mendoj se Gjykata Speciale që do të formohet nuk është e liruar prej përbërësish (komponentësh) politikë. E gjykatat e tilla dinë edhe të krijojnë, domethënë të shpikin rezultate”.

“Në qoftë se gjykatësit e Gjykatës Speciale do të jenë të interesuar të cenojnë sadopak imazhin e luftës sonë çlirimtare që bëri UÇK-ja, ata do të bëjnë çka kanë bërë prokurorët e EULEX-t gjatë disa muajve të fundit : do t’i marrin nga katër orë në pyetje komandantët e UÇK-së ose u paskan dhënë një apo dy shuplaka ndonjë dekikuenti a hafije dhe për këto dy shuplaka do t’u shqiptojnë dënime më të vogla a më të mëdha”.

Duke folur për FARK-un, Akademik Rexhep Qosja thotë se atë nuk e krijoji Bujar Bukoshi por LDK-ja. Ai shton se FARK u krijua me qëllim që UÇK-së të mos i “njihej kurrë statusi ushtarak”.

“Bujar Bukoshi nuk është siç po thuhet, krijuesi kryesor, mandje i vetmi i FARK-ut”.

“Meqenëse FARK-u është krijuar në radhë të parë për qëllime politike është e kuptueshme se krijuesit kryesor të tij janë drejtuesit politikë të LDK-së, e këta janë Fehmi Agani e Ibrahim Rugova”.

“Ata e krijuan FARK-un në kohën kur faktorët ndërkombëtar ende nuk e pranonin statusin ushtarak të UÇK-së dhe e krijuan me qëllim që UÇK-së të mos i njihej kurrë ai status, në të vërtet me qëllim që UÇK-ja të pamundësohet si forcë çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Rexhep Qosja për “Epoka e Re”.