Qosja dhe Zharku ne luftë me Ambasadorin Britanik

Akademik Rexhep Qosja dhe i arratisuri, tash i kthyer, Xhabir Zharku, treguan se kanë një të përbashkët - po u pengonte personi i njëjtë, Ambasadori britanik Ruairi O’Connell. Zharku s’po e duronte sepse e quajti kriminel, ndërsa Qosja e akuzoi diplomatin se po gostit me të kryekorruptuarit.

Lajme

28/06/2018 18:37

O’Connell, i cili njihet për shkrimet e tij në gjuhën shqipe në FB, shpesh bëhet pjesë e topdebateve në vend. Kthimin e Zharkut, pas gjashtë vjetëve në arrati, Ambasadori e quajti të turpshëm ndërsa kërkoi që në Kosovë të mos lejohej më shmangia e kriminelëve nga drejtësia.

“Xhabir Zharku është denuar me tri vjet burg për krimet e kryera nga ai. Kthimi i tij në Kosovë është i turpshëm”, shkroi O’Connell në Facebook.

“Turpi i vërtetë është që gjate gjashtë viteve mbas që u lejua të ikë nga drejtësia, asgjë nuk është bërë për të parandaluar politikanët të tjerë kriminelë për ta bërë të njëjtën gjë”, thuhej më tej në postimin e tij.

Ndërsa, Zharku në reagimin e tij pyeti ambasadorin O’Connell se mos po donte ta kthente Kosovën në anarki.

“Shfrytëzoj nga rasti të rikujtoj ambasadorin O’Connell se, është Britania e Madhe pikërisht vendi ku buroi e drejta demokratike për parashkrimin e veprës penale, dhe të pyes se mos do ta shndërroj Kosovën në anarki”

Por, nuk përfundoi këtu sepse O’Connell’it i erdhi një tjetër “sulm” nga Akademiku Qosja.

Derisa diplomati britanik po fliste për dënim të krimit dhe i ka të zakonshme deklaratat për luftim të korrupsionit, Akademik Qosja në një shkrim të tij dërguar mediave, atë se ka hyrë në valle me të kryekorruptuarit.

Në shkrimin kushtuar korrupsionit e nepotizmit në vend dhe rolit të ndërkombëtarëve Qosja tha se O’Connell pati angazhim vetëm disamujorë kundër nepotizimit e më pas filloi miqësinë  me politikanët dhe zbatuesit e shquar të nepotizmit në Kosovë.

Sipas Qosjes, korrupsioni s’po mund të luftohet sepse është i politizuar. Sepse ka lidhje me ndërkombëtarët dhe se O’Connell britanik është një nga diplomatët që gostit me kokat e korrupsionit.

“Po të mos ishte kështu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Rori Okonell, betejën e tij disamujore kundër të keqes së madhe të quajtur nepotizëm nuk do ta heshtte përnjëherë dhe tani të shihet aq shpesh në shoqëri e në gosti me politikanët, përfituesit dhe zbatuesit e shquar të nepotizmit në Kosovë”, shkroi Qosja.

Nga ana tjetër, autori i shkrimit për korrupsionin, akademiku Qosja, ishte përfshirë në një aferë që cilësohej si korruptive. Kishte marrë 200 mijë euro në formë të dhuratës për botimin e librit nga presidenti Hashim Thaçi, atëherë kryeministër.

Se a e sheh Qosja presidentin Thaçi si të korruptuar, ose, kush janë miqtë e korruptuar të ambasadorit britanik, këtë Qosja nuk e kishte sqaruar. /Express/