Qosiq e sheh Kosovën të humbur

Dobrica Qosiq thotë se Serbia nuk duhet të humbasë energji për çështjen e Kosovës. Ai vlerëson se populli serb nuk duhet më të luftojë, pasi që, sipas tij, për këtë nuk ka potencial biologjik dhe as patriotik.

Lajme

24/04/2014 13:58

Ish-Presidenti i Jugosllavisë, serbi Dobrica Qosiq, ka thënë se çështja e Kosovës tashmë është zgjidhur dhe, sipas tij, për këtë nuk duhet humbur më energji dhe kohë.

Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, i njohur për propagandën anti-shqiptare, ka thënë se Kosova është çështje e kaluar dhe se gjenerata e re duhet të largojë atë nga prioritetet.

“Për mua çështja e Kosovës është e zgjidhur dhe më ajo nuk mund të quhet si krahina jugore e Serbisë. U them gjeneratës aktuale që të mos shpenzojë më energji për këtë, pasi që këtë e ka zgjidhur historia para jush”.

Ky shkrimtar serb, i cili njihet edhe për thënien e famshme se “Gënjeshtra është në qenien e serbëve dhe se është interes shtetëror i Serbisë”, në një intervistë për një të përditshme beogradase tha se Serbia nuk duhet më të luftojë, pasi që për këtë nuk ka potencial biologjik dhe as patriotik.

“Sigurisht, aktualisht askush nuk paraqet ultimatume të luftës, por mendoj se sot presionet bëhen më perfide, pasi që bëhen në fushën ekonomike, dhe në jetën e përditshme të popullatës. Që ky preson të rritet apo të ulët, është e domosdoshme që fuqitë të punojnë në krijimin e aleancave të reja”.

Qosiq vlerëson se aleati më real i Serbisë mund të jetë vetëm Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ndërsa për Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, thotë se është tejet agresive dhe se ndaj serbëve po “sillet me  pasionin e hakmarrjes”.