Qorri: Komuna s’u zu në befasi nga shiu, i kemi gjashtë kompani në terren

Shef i Sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri, ka thënë se kjo komunë nuk është zënë në befasi nga vërshimet e rrugëve që po vijnë si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut këtë verë, dhe se kompanitë e kontraktuara janë dërguar në terren.

Lajme

25/07/2018 18:57

Sipas tij, ndodh një ngulfatje momentale e ujëmbledhësve që vjen si pasojë e  rrebeshit të shiut ku për një kohë të shkurtë grumbullohet sasi e lartë e ujit, ndërkaq  për sipërfaqen e ujëmbledhësve tha se është në bazë të standardeve.

“Në momentin që e kemi parë që janë duke ardhur vranësirat e errëta,pamë  që do të ketë reshje të mëdha të shiut, kompanive që i kemi të kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve – i kemi pasur të kontaktuara edhe më herët – iu kemi thënë që të gjitha të mobilizohen në pikat ku i kemi më ngulfatëse që janë më të ndjeshme ku grumbullohet sasi e lartë e ujit”, ka thënë Qorri në Info Magazine të Klan Kosovës, duke iu referuar zonës ku gjendet objekti i vjetër i komunës, Rruga B si dhe Banesat e Bardha në Bregun e Diellit.

“Kur është rrebesh që vjen përnjëherësh dhe kur është fillim bart me vete qoftë mbeturina të ndryshme ,qoftë edhe dheu që bartet prej rrugëve dytësore dhe depërton në ujëmbledhës dhe mund ta ngulfasë”.

“Mirëpo kompanitë kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren dhe kanë intervenuar”, duke u justifikuar se megjithatë është sasi e madhe e shiut që vjen për një kohë shumë të shkurtë.