QKUK: Rritet vëllimi i punës në shërbimin e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive

Funksionalizimi 24 orësh i shërbimit të Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare ë Kosovës ka bërë që vëllimi i punës të rritet dukshëm dhe të shënohen rezultatet që kanë reduktuar listat e pritjes.

Lajme

22/05/2018 09:39

Kështu thuhet në komunikatën e QKUK-së ku sqarohet se “në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive,  këtë vit janë realizuar 890 koronarografi, 490 procedura intervente-stentime”.

“Intervenimi është realizuar edhe  tek 312 pacientë në fazën akute të infarktit të miokardit”.

“Lista e pritjes për koronarografi  nga 1052 pacientë, sa ka qenë para funksionalizimit 24-orësh,  ka zbritur në më pak se 500, ndërkohë  që prej javës së ardhshme fillojnë të ftohen  pacientët që kanë bërë terminet  si raste jo emergjente gjatë vitit 2018. Ndërkohë,  nga 102 pacientë që ishin në listë për stentim, tani janë në pritje 60 pacientë”.

Sipas QKUK-së, gjatë këtij viti në shërbimin e Kardiokirurgjisë janë kryer 80 operime, ndërkohë nga fillimi i punës së menanxhmentit të ri, 100 operimet e para elektive (jo urgjente)  pa vdekje, 0% mortalitet.

“Lista e pritjes nga 406 pacientë, me pritje nga viti 2015, është reduktuar, tani janë në pritje 120 pacientë,  nga janari i këtij viti (2018)”.

Në komunikatë thuhet se puna e kryer në këtë shërbim ka kursyer para që shpenzoheshin për mjekim jashtë vendit derisa jepen detaje edhe për hapjen e sallave të reja.

“Nga puna e kryer në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive në QKUK, janë kursyer 3 milion euro që më parë shkonin  për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Po bëhen përgatitje intenzive për hapjen e sallës së dytë operative në kardiokirurgji  e cila do të ndodhë së shpejti, krahas kësaj, hapet edhe salla e dytë e mjekimit intensiv me katër shtretër”.

“Janë duke u bërë përgatitje intensive për hapjen e sallës së dytë të kateterizimit ( angiografi- koronarografi i ri) funksionalizimi i saj pritet brenda dy muajve të ardhshëm”./Lajmi.net/