QKUK-ja dështoi me Bajram Rexhepin, nuk ia ofroi shansin për shërim

QKUK-ja nuk ia ofroi trajtimin e duhur ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai po i vuan pasojat e një sistemi të shëndetësisë të degraduar nga politika, pjesë e së cilës ka qenë edhe vet. Rexhepi mund ta kishte një shans për shërim, sikur në QKUK të aplikohej protokolli i Trombolizës. Rasti i tij u shfrytëzua nga SHSKUK-ja për t’u bërë thirrje pacientëve që të mos kërkojnë shërim në spitale private apo jashtë vendit, por Rexhepi u detyrua të shkoj në Turqi.

Lajme

22/05/2017 19:27

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, pësoi sulm në tru më 18 prill në shtëpinë e tij në Mitrovicë. Ai u dërgua në QKUK, por aty përjetoi edhe sulmin e dytë ndonëse po trajtohej nën përkujdesje intensive.

Një ditë më vonë u thirr një konferencë për media nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, për të njoftuar për gjendjen shëndetësore të Rexhepit. QKUK-ja ishte mobilizuar në ditën e diel për të kryer një ndërhyrje në tru në politikanin e shtrirë në Neurokirurgji.

Në konferencë morën pjesë drejtori i përgjithshëm Curr Gjocaj, operatori kryesor, dr. Arsim Morina, dr. Eshref Osmani dhe zv.ministri i shëndetësisë, Rrustem Musa.

Neurokirurgu Morina udhëhoqi ekipin e mjekëve i cili kreu ndërhyrje në tru. Ai tha se pas dy sulmeve që i ka pësuar Rexhepi, është përcjellë vazhdimisht gjendja e tij, por se sulmet ia kanë dëmtuar shumë trurin “dhe e kemi parë të arsyeshme që të kryejmë intervenimin”, shkruan Gazeta Shneta.

Ai tha se sulmi ishte shkaktuar nga çrregullime të zemrës që çoi në mbylljen e enëve të gjakut që furnizonin trurin me gjak, ndërsa e vlerësoi operimin si të suksesshëm dhe pa ndonjë komplikim. Pacienti u mbajt në aparat me ventilim dhe me medikamente që ia mbanin trurin të qetë.

Neurokirurgu e shfrytëzoi këtë rast duke bërë thirrje që të mos kërkohet shërim jashtë vendit apo edhe në klinika private, por pacienti i tij Bajram Rexhepi, u detyrua të dërgohet në Turqi për të vazhduar trajtimin.

Edhe anëtari i Bordit të SHSKUK-së, Shemsi Veseli, gjatë konferencës i tha zëdhënësit që t’ua transmetojë mediave se vet Rexhepi kishte kërkuar që të trajtohej në QKUK.

Megjithatë, pas operacionit ai pësoi gjakderdhje në kokë duke mbetur ende në koma, tanimë në Turqi me pak gjasa për rikthim në jetë normale.

Sipas burimeve të afërta me familjen e ish-kryeministrit, ai vazhdon të mbetet në gjendje të njëjtë shëndetësore.

Tromboliza, shansi i humbur për Bajram Rexhepin

Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ia dha shansin për shërim politikanit i cili udhëhoqi qeverinë e Kosovës për dy vite pas luftës dhe më vonë si ministër. Ish-kryeministri po i vuan pasojat e një sistemi të shëndetësisë të degraduar nga politika, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai vet.

Rexhepi i cili është vet kirurg me profesion, do ta kishte një mundësi shërimi sikur në QKUK të aplikohej protokolli i Trombolizës.

Ky lloj mjekimi me barna bëhet në rastet kur pacienti ka bllokim të arterieve në tru. Futja e barnave e tretë bllokimin-trombin dhe në shumë raste gjendja normale rikthehet brenda gjysmë ore, shkruan Gazeta Shneta.

Neurokirurgu Arsim Morina thotë se tromboliza aplikohet në orët e para pasi pacienti pëson sulmin dhe e pranon se ka mundur të aplikohet edhe në rastin e Rexhepit.

“Ndërhyrja në tru është e fundit. Sikur të bëhej tromboliza ose trombektomia nuk do të kishte nevojë fare të ndërhyhej në tru. Nuk është vetëm një person, por kjo vlen për të gjithë pacientët me këtë problem”, ka deklaruar Morina për Gazeta Shneta.

Për mungesën e trombolizës ka alarmuar edhe neurologu Nexhmedin Shala. Ai tregon se projekti për këtë protokoll është dorëzuar në SHSKUK dhe Ministri të Shëndetësisë.

“Ne e kemi bërë projektin për aplikimin e trombolizës dhe për këtë kemi gatishmëri dhe staf, por është çështje e politikave të sistemit të shëndetësisë për ta aprovuar ”, ka thënë ai.

Shala konsideron se nevoja për këtë mjekim është e menjëhershme edhe në kontekstin social-ekonomik sepse pacientët nuk do të bëheshin barrë e familjes dhe shtetit.

Ai ka shtuar se jo në të gjitha rastet aplikohet tromboliza, por në ato që i plotësojnë kushtet. Për ta vënë në praktikë këtë lloj mjekimi, Neurologjisë i duhet një CT e re dhe mjete prej 500 deri 850 mijë euro barna me të cilat aplikohet tromboliza.

Shala konsideron se në rastin e Bajram Rexhepit ka pasur gjasa që të bëhet tromboliza pas sulmit të parë, por me shumë pikëpyetje.

“Megjithatë ka qenë një mundësi që do të mund të provohej për të bërë diçka”, ka thënë Dr Shala.

Tromboliza dhe trombektomia: Dy metoda që e shërojnë trurin nga ishemia

Neurokirurgu shqiptar Artur Xhumari në një bisedë për Gazeta Shneta në Tiranë, e shpjegon hollësisht protokollin e trombolizës.

Ai thotë se ky lloj mjekimi përdoret në rastet kur mjeku arrin të diagnostikojë që shkaku i sulmit është një ishemi e trurit. Pra është një tromb, një bllokim i një arterie të trurit dhe për këtë bllokim ka dy rrugë trajtimi, njëra është me trombolizën venoze ku ilaçe që futen në tromb e tretin këtë bllokim.

“Dëshira jonë është ta tretë 100 për qind, por mund ta tretë 50 ose 10 për qind. Por ideja është që përdoret për ta tretur trombin. Rreth 50 % e pacienteve të trajtuar, kthehen në gjendjen e mëparshme, pa asnjë problem neurologjik. Ka edhe një metodë tjetër kur ky tromb është në një arterie të madhe të trurit ku ndërhyhet me sonda dhe tërhiqet në mënyrë mekanike që quhet Trombektomia Mekanike”, shpjegon doktor Xhumari.

Tromboliza përdoret vetëm kur pacienti ka ishemi. Në qoftëse se ky sulm vërehet se është hemorragjik dhe jo ishemi, nuk bëhet trombolizë. Përveç kësaj rreziku që ka tromboliza venoze është që ta kthej një ishemi në hemorragji”, shprehet tutje ai.

Sipas Xhumarit, tromboliza venoze ka një kohë të caktuar maksimumi 4 orë e gjysmë që nga fillimi i shenjës së parë të sulmit.

“Nëse kalon kjo orë nuk bëhet më sepse ka më shumë rreziqe sesa të mira, ndërsa trombektomia ka pak më shumë kohë, 6 orë”.

Tani pas këtyre dy mundësive të para, nëse gjendja e të sëmurit është shumë e rëndë, si pasojë e një infarkti shumë të madh, për t’ia shpëtuar jetën një pacienti me infarkt, është ndërhyrja në tru.

“Ndërhyrja në tru bëhet në rastet kur infarkti është aq i madh sa po dëmton dhe po shtynë me forcë trurin e shëndosh. Atëherë ajo që bëhet është një lirim i trurit apo ajo që quhet kraniektomia dekompresive e cila mundohet të lirojë këtë presion të madh”, deklaron Xhumari.

“Nuk bëhet për të përmirësuar problemin neurologjik, por bëhet për të shpëtuar jetën. Nuk ka ndërhyrje në tru që bëhet për të hequr një ishemi. Ajo bëhet për të shpëtuar jetën kur kemi të bëjmë me infarkt malinj”, shton ai.

Mjeku shqiptar pohon se për të shëruar infarktin dhe për të rifituar funksionin e trurit, pa trombolizë apo trombektomi, dëmtimi do të mbetet për një kohë të gjatë.

“Nëse bëhet njëra nga këto dyja ka shanse të mira që ky deficit të zhduket menjëherë, brenda gjysmë ore pasi të kryhet procedura”, konstaton neurokirurgu.

“Këto dy procedura kanë arritur rreth 50-60 për qind, ta kthejnë mbrapshtë dëmtimin në zonën e trurit që nuk po punon”.

Xhumari thotë se koma artificiale ashtu si dhe ndërhyrja në trurin me ishemi malinje, bëhet për ta nxjerrë të sëmurin nga gjendjet kërcënuese për jetën.

Ndryshe, Tirana dhe Beogradi janë shndërruar në rrugë shpëtimi për shumë qytetarë të Kosovës që vuajnë nga probleme të tilla.