Qipro, rrëmbehen dy fëmijë nga shkolla. Policia, në alarm

Policia qipriote ndodhet në alarm, pas zhdukjes së dy fëmijëve 11-vjeçarë nga shkolla fillore e Kamarës, në qytetin Larnaka.

Bota

25/09/2018 13:25

Sipas informacioneve fillestare, një burrë i panjohur është prezantuar te fëmijët si mësuesi i tyre i ri dhe u ka kërkuar të sjellin disa libra nga makina e tij. Fëmijët e kanë ndjekur, e prej atij çasti ata janë zhdukur.

Policia, që është lajmëruar pak më vonë, ka mbërritur në vendngjarje dhe ka filluar menjëherë hetimet dhe një operacion kërkimi.

Filimisht janë publikuar fotografitë e dy fëmijëve. Më pas, dëshmitarët okularë kanë dhënë edhe përshkrimin e personit që është prezantuar si mësues, e në orët e ardhshme pritet të publikohet edhe një skicë me karakteristikat e tij, veshjen dhe tipin e automjetit që dispononte.

Ngjarja ka tronditur të gjithë Qipron dhe është bërë lajm i parë edhe te mediet greke. Kudo në qytet janë ngritur postblloqe nga policia, që beson se fëmijët janë fshehur nga rrëmbyesi i tyre në një mjedis pranë shkollës. Gjithashtu janë përforcuar kontrollet pranë kufirit me pjesën e Qipros Veriore.