Qindra raste të zhdukjeve të detyrueshme në Pakistan

Mbi 700 raporte për zhdukje janë pranuar nga Kombet e Bashkuara në Pakistan dhe qindra të tjera janë raportuar tek autoritetet pakistaneze, por askush nuk është mbajtur përgjegjës për to, tha organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Bota

20/03/2018 15:27

“Grupi Punues i OKB-së për Zhdukjet e Detyrueshme ka mbi 700 raste të pazgjidhura në Pakistan dhe Komisioni Shtetëror i Pakistanit për Zhdukjet e Detyrueshme ka marrë raporte për qindra të tjera”, thuhet në deklaratën e AI-së.

“Viktimat përfshijnë blogerë, gazetarë, studentë, aktivistë të paqes dhe mbrojtës të tjerë të të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë.

Sipas së njëjtës, kurrë asush nuk është mbajtur përgjegjës për zhdukje të detyrueshme në Pakistan.

Amnesty International tha se të zhdukurit rrezikojnë të torturohen dhe të vriten dhe i cilësoi zhdukjet e detyrueshme si “mjet terrori”.

Organizata me seli në Londër i paralajmëroi autoritetet pakistaneze se zhdukjet e detyrueshme, sipas ligjit ndërkombëtar, janë krime dhe se mund të klasifikohen si krime kundër njerëzimit nëse kryhen sistematikisht.