Qeveritë rajonale të krijojnë ambient biznesor pa procedura burokratike

Qeveritë rajonale duhet të krijojnë një ambient që bizneseve ua lehtëson operimin e tyre, që punëtorëve tu ofrohen kushte të mira për punë, që ambienti legjislativ të jetë pro-biznesit, që t’i eliminojmë në maksimum procedurat burokratike dhe që rendi dhe ligji të jenë në funksion të mbrojtjes së bizneseve dhe investimeve. 

Lajme

30/05/2014 12:20

Kështu tha të premten kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij në Konferencën Rajonale  “Intensifikimi i Bashkëpunimit Rajonal – Tejkalimi i sfidave ekonomike, rritja e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe bashkimi i përpjekjeve kundër ekonomisë joformale\”, e cila u mbajt në Prishtinë.

“Vetëm kështu ne do të arrijmë që në mënyrë vullnetare t’i sjellim aktivitetet e bizneseve jo-formale brenda formalitetit. Vetëm kështu ne do të siguronim se çdo biznes, çdo i punësuar dhe çdo qytetar është i barabartë në treg. Vetëm kështu, ne do të sigurojmë një rritje të shpejtë të ekonomive tona dhe punësim të qëndrueshëm”, tha kryeministri Thaçi.

Thaçi tha se prania e ministra të vendeve të rajonit, përfaqësues të Administratave Tatimore, Doganave dhe Komunitetit të Biznesit në këtë konferencë, është dëshmia më e mirë se vendet rajonale janë të zotuara për të punuar së bashku, për t’i adresuar sfidat që kanë përpara dhe për të promovuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

“Jam i bindur se një bashkëpunim tillë, një bashkëpunim edhe më i shtuar në drejtim të liberalizimit të tërësishëm të tregtisë midis vendeve tona, nxitjes së investimeve, liberalizimit të tregut të punës dhe atij financiar, do të rezultojë me përfitime të shumanshme për bizneset dhe qytetarët e vendeve tona”.

Thaçi tha se fenomeni i informalitetit nuk është diçka e re as për Kosovën as për rajonin.

“Ky fenomen është i pranishëm në pothuaj të gjitha ekonomitë e botës, qofshin ato të zhvilluara apo më pak të zhvilluara. Megjithatë, kjo nuk na bënë ne të ndihemi komod. Kjo për arsye se aktivitetet e ekonomisë jo-formale sjellin dëme të shumta për gjithë shoqërinë. Prandaj është tejet e nevojshme që me veprime tona konkrete, si dhe me një bashkërendim të aktiviteteve të të gjitha institucioneve dhe qeverive të vendeve tona, të gjejmë formën më të mirë për të zvogëluar në masë të konsiderueshme praninë e informalitetit”, tha ndër të tjera kryeministri Thaçi.