“Qeveritë në Ballkan dhe Bashkimi Evropian janë cinike”

Profesori i Universitetit të Grazit në Austri dhe drejtori i qendrës për studime në Evropën Juglindore, Florian Bieber beson se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të bëhet në dy valë.

Lajme

21/07/2017 23:38

Bieber në një intervistë për Tanjug ka thënë se shkaku i mos-integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian është “lodhja e zgjerimit”, dhe çështja e reformave, transmeton lajmi.net.

“Ju nuk mund të ndani nga njëra-tjetrën mungesën e vullnetit për reforma e cila është e bazuar në faktin se qytetarët janë skeptik në lidhje me zgjerimin. Por kjo nuk është çështje me prioritet të lartë”, ka thënë Bieber.

Ai ka theksuar se mungesa e reformave në rajon, dhe mungesa e angazhimit të Bashkimit Evropian janë të ndërlidhura.

“Duhet të ndalet ky cikël. Qeveritë në Ballkanin Perëndimor janë cinike kur pretendojnë se BE-ja nuk i dëshiron, Bashkimi Evropian është cinik kur argument se vendet e rajonit nuk janë gati për të hyrë në këtë organizatë, dhe qytetarët janë cinikë në drejtimin e tyre dhe te qeverisë për orientim kah BE-ja”, ka thënë eksperti i çështjeve të Ballkanit.

Ai ka thënë se dy apo tri vende janë të gatshme të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Ndoshta ka një grup prej dy ose tri shtete që janë të gatshme për të hyrë, dhe pastaj vjen vala e dytë e të tjkerëve”, shtoi Bieber.

Bashkimi Evropian, shpesh është akuzuar nga ekspertë të ndryshëm për bllokimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Lajmi.net/