Qeveritarët nuk kanë ide pse duhet të fuqizohet sektori privat

Vende të reja të punës nuk mund të ketë, derisa njerëzit që janë në pozita kyçe ministrore nuk kanë guximin të marrin vendime të mëdha e të rëndësishme politike. Po flas për ato vendime që duhet të jenë shumë të shpejta dhe që kanë të bëjnë me projekte të rëndësishme strategjike për vendin tonë, vlerëson drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Lajme

04/01/2015 11:56

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, Zeka fillimisht tha se për shumë keqardhje që duhet konstatuar se viti i kaluar ishte një vi i dështuar në aspektin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.

Sipas tij, e gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e ngërçit politik që ishte krijuar në Kosovë brenda gjashtë muajve.

“Nuk ka zgjidhje tjetër për përmirësim të kësaj gjendje përveç që institucionet përgjegjëse të tregojnë zotim dhe punë më të madhe për finalizimin e një pjesë të madhe të reformave që janë nisur nga qeverisja e kaluar, e të cilat nuk ishin përcjell me dinamikën e duhur”, tha ai.

Sipas Zekës, ajo çka do të mund të bënin institucionet e vendit për zhvillimin e sektorit privat, i cili është shtylla kryesorë e zhvillimit ekonomik të vendit, është të krijojë kushte përmes së cilit sektori privat do të fuqizohej.

“Ky është një dështim tjetër i institucioneve të vendit. Përgjatë këtyre viteve asnjë institucion apo zyrtar nuk ka arritur të ndryshojë këtë qasje karshi sektorit privat, nuk ka arritur të rrisë vetëdijen e njerëzve për rëndësinë e sektorit privat”.

“Ajo çka e kemi parë nga e kaluara, vullneti ekziston, ekziston edhe gatishmëria e zyrtarëve për të dëgjuar palët e tjera të interesit, përfshirë këtu edhe asociacionet e bizneseve lidhur me atë se çfarë duhet të behët, por ajo çka kam vënë re është që një pjesë e madhe e tyre, duke nisur nga nivelet më të larta qeveritare, nuk e kanë as idenë më të vogël pse duhet të fuqizohet sektori privat. Pse sektori privat duhet të ketë duart e lira, jo që të bëjë shkelje apo kundërvajtje ligjore, jo që të shmanget nga detyrimet ndaj shtetit, por të ketë duart e lira për të kryer investime të ndryshme për sektor të ndryshëm, aty ku Kosova ofron potencialet më të shumta”, tha pos tjerash Kreu i OEAK, Arian Zeka.