Qeverisë i kërkohet që urgjentisht të hartojë një strategji për zhvillimin e Trepçës

Karvani i ekspozimit të prodhimeve vendore, ka vazhduar para konsumatorëve të Mitrovicës në kuadër të projektit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar 2015- Unë konsumoj prodhime vendore po Ju”, organizuara nga Aleanca Kosovare e Bizneseve

Lajme

02/12/2015 17:24

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se tash trembëdhjetë vjet me radhë në Kosovë, organizohet projekti “Javët e Biznesit Kosovar”.

Ai tregoi se ky projekt ka për qëllim kryesor të promovojë ekonominë vendore, të rrit konsumimin e prodhimeve, të stimulojë bizneset dhe të përmirësojnë cilësinë e prodhimeve sipas standardeve më të larta

“Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës, që të vazhdojë të krijojë një mjedis më të favorshëm për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, dhe që sa më shpejt të hartojë një strategji për zhvillimin e Trepçës si mundësi e madhe dhe e pa shfrytëzuar për regjionin e Mitrovicës.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, tha se që nga marrja e mandatit të tij, ka vazhduar të mbështes ekonominë vendore, sidomos prodhuesit.

“Kemi krijuar një klimë të mirëfilltë ku dhe kemi rritje ekonomike dhe mbështetja ndaj prodhuesve vendës nuk do të ndalet deri në përfundim të mandatit tim si kryetar komune”, tha kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

Ai tha se në këtë regjion ka stabilitet dhe investimet nuk po mungojnë e do të rriten, ku së shpejti do të nisin ndërtimet e fabrikave në zonën e lirë ekonomike.

Bahtiri, premtoi se Mitrovica pastaj do të ketë një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe për këtë është krijuar edhe zona e lirë ekonomike, ku do të gjenerohen shumë vende të reja pune.

Gjatë ditës është diskutuar edhe për sfidat dhe pengesat e prodhuesve të regjionit të Mitrovicës, ku dhe u morën zotime se do të ketë mjedis më të mirë për zhvillimin e bizneseve posaçërisht atyre prodhuese.