Qeverisë i dërgohet vendimi për shpronësimin e pronave në Hade e Shipitullë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka proceduar sot në Qeveri vendimin preliminar për shpronësimin e pronës së paluajtshme për fshatrat Shipitullë dhe Hade, i cili pritet të merret në mbledhjen e radhës.

Lajme

10/08/2017 16:54

Vendimi është marrë pas një debati që Departamenti i Shpronësimit pati sot me pronarët e evidentuar në listën bashkangjitur Vendimit të Qeverisë për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Shipitullë dhe Hade, për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ky dëgjim është përcjell edhe me protesta nga disa banorë të këtyre fshatrave, të cilët kanë kërkuar që të jenë pjesë e këtij dëgjimi, por që sipas ministrisë ky dëgjim publik ka qenë vetëm për personat që janë evidentuar që kanë prona në ato pjesë.

Njoftimi i plotë i MMHP-së:

Bazuar  në Vendimin Nr.05/150 të datës 21.07.2017 dhe Njoftimit  për mbajtjen e Dëgjimit Publik, konform    Ligjit nr. 03/L-139  datë 26.03.2009 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 03/L-205 datë 28.10.2010, Departamenti i Shpronësimit me datë 10.08.2017 nga ora 10.30-11.00 ka mbajt Dëgjimin Publik me pronarët/zotëruesit e interesit  të evidentuar në listën bashkangjitur Vendimit të Qeverisë.

Në dëgjim publik kanë marrë pjesë përfaqësuesit MMPH, KEK-sh.a, Komuna e Obiliqit, përfaqësues të KFOR-it, Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe banorët e fshatit Shipitullë dhe Hade të cilët nuk dëshiruan të qëndrojnë në sallën e kuvendit pa hyrë në sallë edhe të gjithë banorët tjerë të fshatit Shipitullë.

Meqë shumica e banorëve nuk ishin të evidentuar në Vendimin e Qeverisë dhe kërkonin kategorikisht që të marrin pjesë në formë proteste me pankarta atëherë përfaqësuesi i Departamentit të Shpronësimit, kërkoi nga banorët që në Dëgjim Publik sipas nenit 9 të Ligjit të shpronësimit mund të marrin pjesë vetëm personat të cilët janë pronar, zotërues apo trashëgues të pronave me Autorizim.

Banorët e mbledhur para sallës së Kuvendit Komunal të cilët nuk ishin pjesë e listës në Vendimin e Qeverisë, kërkuan që të dalin edhe banorët tjerë të cilët i lejuam të hynin në sallë pasi që u deklaruan se janë pronar, zotërues, trashëgues dhe të cilët dëshironin të dëgjonin.

Departamenti i Shpronësimit, u sqaroi banorëve në sallë edhe atyre para derës së sallës se kjo nuk është protestë por Dëgjim Publik dhe ky dëgjim mbahet vetëm për ata pronar që janë të evidentuar në Vendimin e Qeverisë dhe se Dëgjimi është  i rëndësishëm për shkak se pronarët që shpronësohen mund të marrin informata  të rëndësishme rreth procedurës së shpronësimit.

Dëgjimi publik u zhvillua konform dispozitave ligjore dhe u përmbyll konform këtyre dispozitave dhe tani pas përmbushjes së kushteve të përcaktuara në nenin 9 të Ligjit të shpronësimit, Departamenti i Shpronësimit do të vazhdojë procedurën e shpronësimit konform Ligjit për Shpronësim të Pronës së Paluajtshme. Gjithashtu menjëherë sot kemi proceduar në Qeveri vendimin Preliminar të shpronësimit i cili pritet të merret në mbledhjen e radhës që do të mbahet./Lajmi.net/