Qeveria vë kushte për faljen e borxheve

Ministri i Financave, Abdullah Hoti, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka qartësuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit.

Lajme

04/03/2015 10:42

Ministri Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vendosur për faljen e të gjitha borxheve që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit deri në vitin 2008, por siç ka thënë ai, me kusht që t’i paguajnë borxhet që kanë për periudhën kohore 2009-2014.

Ai ka thënë se për të paguar borxhet për periudhën 2009-2014, qytetarët do të kenë kohë një vit, pasi ligji të hyjë në fuqi, dhe kështu borxhet që kanë pasur deri më 2008 do të llogaritën të falura.

“Falja e borxheve kushtëzohet që pala të paguajë borxhet nga data 1 janar 2009- 31 dhjetor 2014 në mënyrë që pala të lirohet nga ndëshkimi dhe t’i falen borxhet. Ndërsa nëse hyhet në marrëveshje për të kryer obligimet prej vitit 2009-2014, pala lirohet vetëm nga ndëshkimi ndërsa paguan borxhin”.

Në parim, vendimi për faljen e borxheve ndaj ndërmarrjeve publike u mor muajin e kaluar, kur mijëra qytetarë po iknin nga Kosova në rrugë ilegale drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ky veprim i qeverisë ishte parë si një masë stimuluese për të ndalur migrimin ilegal të qytetarëve.

YouTube player