Qeveria thotë se ia kanë bërë të qartë edhe BE-së: Statuti për Asociacionin kalon përmes Gjykatës Kushtetuese

Qeveria e Kosovës i është kundërpërgjigjur ekipit menaxhues për Asociacionin lidhur me statutin e formimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Lajme

09/07/2018 19:00

Në Qeveri kanë thënë se edhe në Bruksel e kanë bërë të qartë se Asociacioni do të formohet përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ditë më parë Ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit me anë të një komunikatë ka thënë se është jetike që kompetencat e Asociacionit  të jenë në bazë të marrëveshjes së Brukselit.

Por, një gjë e tillë Qeveria këmbëngulë se nuk do të ndodh.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për lajmi.net se Qeveria e Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj edhe para zyrtarëve të BE-së, që statuti i Asociacionit duhet të kalojë përmes Gjykatës Kushtetuese.

“Ky është qëndrimi i Kosovës edhe para vendeve te BE-se dhe përpara Ekipit Menaxherial dhe para kujtdo. Cilido version i statutit duhet te kaloje përmes Gjykatës Kushtetuese. Këtë e ka thënë Qeveria që nga fillimi dhe nuk është ndryshuar qëndrim”, është shprehur Gashi për lajmi.net.

Ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit ditë më parë  ka treguar se ky Asociacion do të ketë këshillin, bordin, administratën dhe zyrën për ankesa.

Po, ashtu aty ishte thënë se është thelbësore që kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit”.

Në BE lidhur me statutin e Asociacionit nuk kanë qenë shumë të qartë, nëse ai do formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga atje në deklarime për media është thënë se Asociacioni duhet të formohet në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte nxjerrë 21 nene në kundërshtim me ligjet e Kosovës, nga marrëveshja bazë për Asociacionin e nënshkruar në vitin 2015 në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Paritë opozitare dhe shoqëria civile kishte kundërshtuar marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, me arsyetimin se Asociacionit i jepen kompetenca ekzekutive.

Në prill të këtij viti,Bashkimi Evropian kishte kërkuar që statute për Asociacionin të formohet brenda 4 muajve./Lajmi.net/