Qeveria Teknike s’ia mbush syrin bllokut opozitar, preferojnë koalicionin e tyre

Për t’u kaluar vakuumi politik e institucional i krijuar pas zgjedhjeve në Kosovë, një raport i ndërkombëtarëve në vend ka shprehur mundësinë e zgjidhjes së problemit me anë të krijimit të një Qeverie Teknike. Por, anëtarët nga blloku opozitës, nuk e favorizojnë një opsion të tillë.

Lajme

26/06/2014 17:46

Koalicioni i formuar nga blloku opozitar LDK-AAK-Nisma, nuk e kanë parë si opsion në të mirë të shtetit, formimin e një Qeverie Teknike.

Për këtë të fundit, u fol si mundësi atëherë kur u vërejt se Kushtetuta e Kosovës në bazë të neneve të saja, po krijonte paqartësi lidhur me përcaktimin e mandatarit për themelinin e qeverisë së re.

Por, opsioni për t’u bërë bashkë gjithë spektri politikë, në një të ashtuquajtur Qeveri Teknike, duket të mos ua mbushë syrin shumicës së subjekteve politike të vendit, sipas prononcimeve të tyre dhënë për lajmi.net.

Nga LDK-ja, kanë thënë se qëndrimi i tyre tashmë është i njohur për publikun. Arben Gashi, ish-deputet i kësaj partie, si kundërpërgjigje për Qeverinë Teknike, e ka përmendur koalicionin në të cilin LDK ka hyrë.

“Qëndrimi i LDK-së dihet, është koalicioni të cilin e ka bërë. Këtë vendim e merr këshilli i partisë, nuk është vendim që mund ta marrë individualisht. Por, ende s’kemi marrë asnjë vendim për këtë”, tha Gashi.

Nga AAK-ja, partia nga e cila koalicioni LDK-AAK-Nisma zgjodhi ta vë Ramush Haradinajn si kryeministër, kanë thënë se nuk besojnë në opsionin e formimit të një qeverie të tillë. Siç ka thënë Ahmet Isufi nga kjo parti, vetëm koalicioni i bllokut opozitar mund të krijojë stabilitet në vend.

“Është koalicioni që është formuar dhe Qeveria del nga koalicioni i cili e ka të drejtën ta bëj kabinetin e qeverisë. Nuk besoj se do të ketë qeveri tjetër përpos qeverisë së koalicionit i cili i ka numrat dhe mundet ta krijojë një stabilitet në vend”, tha ai.

Ndërkaq, nga partia e tretë e këtij blloku opozitar, ka folur Jakup Krasniqi, i cili deri më tani thotë se di pak në lidhje me opsionin e tillë. Siç ka thënë ai, ende askush nuk e ka kontaktuar atë për çështjen në fjalë, e kjo ka bërë që Nisma të mos kenë ende një qëndrim të sajin.

“Nga ajo që po shkruhet në media, nuk kam çfarë komentoj ngase s’e di sa është e vërtetë. Por, me ne s’ka biseduar askush për këtë çështje. Nëse kjo bëhet zyrtare, atëherë ne si Nismë do ta bisedojmë këtë çështje dhe do të vendosim nëse do të jemi pjesë, apo jo. Por, s’kemi informacione zyrtare përpos raportimit të mediave”, tha Krasniqi.

Iniciatorët e këtij blloku opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë të jenë këmbëngulës në logjikën e tyre sa i përket formimit të qeverisë se vetëm nëse pranohen kushtet e tyre, mund të ketë një qeveri stabile. Glauk Konjufca ka thënë se Vetëvendosje nuk e favorizon Qeverinë Teknike, ngase Kosova ka nevojë për një qeveri e cila merr vendime serioze e të fuqishme.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk e favorizon Qeverinë Teknike, sepse mendojmë se Kosova ka nevojë për një qeveri e cila është e gatshme të marrë vendime të fuqishme dhe serioze të karakterit politik. Nga natyra, Qeveritë Teknike janë vetëm qeveri të mbijetesës, dhe neve s’na duhet një e tillë”.

“Na duhet një qeveri në të cilën patjetër ata që kanë udhëhequr deri tash me Kosovën, të qëndrojnë në opozitë”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, partia me përqindjen më të lartë nga zgjedhjet e qershorit, PDK, nuk ka dashur të komentojë mbi këtë opsion. Sipas Arsim Bajramit nga kjo parti, është ende herët të flitet për një opsion të tillë, gjersa ka thënë se nuk bën parashikime.

“Nuk dua të përgjigjem për këto çështje. Është herët dhe ne nuk mund ta parashikojmë. S’mund të bëhemi profetë ta parashikojmë a do të bëhet një Qeveri Teknike”, tha ai.

Ndërkaq, një raport i ndërkombëtarëve në Kosovë, i cili po qarkullon nga dje në mesin e disa diplomatëve perëndimorë, thekson se Kosova rrezikon të hyjë në destabilitet politik në muajt e ardhshëm për shkak të diferencave të mëdha që kanë partitë politike me njëra-tjetrën. Gjersa për këtë, siç e quan, ngërç politik, raporti sugjeron që të bëhet një qeveri stabile (Qeveria Teknike) “në mënyrë që të përballojë me sukses sfidat që do t’i paraqiten në një të ardhme të afërt”, shkruan raporti.