Qeveria teknike, opsioni i fundit

Një prej opsioneve të fundit për krijimin e institucioneve do të ishte krijimi i një qeverie teknike, por vendi nuk është futur në fazën emergjente të krijimit të institucioneve.

Lajme

17/10/2014 10:02

Akoma nuk janë shterur të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve, vlerësojnë analistët, shkruan Tribuna.

Sipas tyre, qeveritë teknike formohen në situata të jashtëzakonshme dhe kanë mandat të caktuar.

Analisti politik, Krenar Gashi, ka thënë se në demokracitë parlamentare, qeveritë teknike vijnë si zgjidhje e fundit, pra vetëm kur nuk mund të arrihet ndonjë zgjidhje tjetër.

“Kjo për shkak se gjithëpërfshirja në qeveri e cungon jetën parlamentare, debatin parlamentar e bashkë me këtë edhe vet demokracinë e cila bazohet në një sistem të llogaridhënies dhe mbajtjes në përgjegjësi”, ka thënë ai.

Për Petrit Zogajn nga lëvizja FOL, opsioni për krijimin e qeverisë teknike nuk është i mirë. Sipas tij, ky opsion në fakt është më i keqi.

“Qeverive teknike pak a shumë ua dimë mandatin se si funksionojnë. Ka një mirëkuptim ose konsensus te të gjitha palëve brenda Kuvendit të Kosovës dhe i miratojnë disa pika bazë, por qe nuk ka një rol të mirëfilltë politik dhe nuk ka përgjegjësi politike”, ka thënë Zogaj.