Qeveria të fuqizojë prodhimtarinë!

Për tu rritur eksporti, shteti duhet të krijojë politika më të favorshme fiskale për prodhuesit vendorë në mënyrë që të rritet fuqia e prodhuesve vendorë për t’i plotësuar nevojat vendore, para se të jenë në gjendje të eksportojnë.

Lajme

04/05/2015 08:39

Kështu thotë për Epoka e Re, drejtori i Odës  Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

“Realisht, Kosova me politikat e deritanishme nuk ka treguar gatishmëri të madhe për ta mbështetur sektorin e prodhimtarisë në mënyrë që të ndikojë edhe në rritjen e eksporteve”.

“Besoj se me ligjet e reja tatimore, të cilat do të mundësojnë lirime dhe benifite të shumta tatimore, më në fund do të krijohet kjo mundësi”, thotë ai.

Duke folur për reformat fiskale, Zeka thotë se Qeveria e ka kuptuar mirë sa është e nevojshme të fuqizohet sektori i prodhimtarisë.

“Vetëm krijimi i politikave më të favorshme për ta, lirimet nga detyrimet tatimore dhe nga tatimi mbi vlerën e shtuar, makinerive dhe zgjerimi i mëtejmë i listës së lëndëve të para, të cilat duhet të lirohen nga lirimet doganore, i shërbejnë prodhimtarisë. Besoj se po dëshmohet edhe me vepra, jo vetëm me fjalë”, thotë Zeka.

Kurse, nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Burim Piraj, thotë se nga nënshkrimi i Traktatit për Tregti të Lirë me vendet e CEFTA-së, prodhimtaria në Kosovë, në mënyrë të padrejtë dhe aspak të mençur është vendosur në pozitë të pafavorshme.

“Paramendoni që edhe sot e kësaj dite në CEFTA Kosova trajtohet si UNMIK. Mendoj se ky ka qenë hapi më i kobshëm historik në dëm të prodhimtarisë së Kosovës. Nga nënshkrimi i këtij traktati rreth e rrotull Kosovës, sidomos në Maqedoni, u bënë investime miliardash dhe punësime të mijëra punëtorëve, të cilët do të prodhonin qëllimin kryesor, që prodhimet e veta t’i plasojnë në Kosovë”, ka thënë ai, shkruan Epoka e Re.