Qeveria të formohet sa më shpejt!

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zbogar, ka deklaruar se zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë ishin të rregullta, por se Brukseli nuk mund të komentojë koalicionet paszgjedhore.

Lajme

20/06/2014 11:22

Në një intervistë për gazetën serbe, Danas, Zbogar ka thënë se koalicionet paszgjedhore janë çështje të brendshme e Kosovës, përderisa bazohen në ligj dhe procedurat e rregullta.

“Meqë janë shumë detyra para autoriteteve të Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane, përfshirë vazhdimin e dialogut me Serbi, është në interesin e qytetarëve që sa më shpejtë të formohet qeveria efikase me mandat të plotë”, ka theksuar ai, raporton RTK.

I pyetur nëse janë gjasat reale që serbët të kenë ende vende të rezervuara pos atyre të garantuara, Zbogar, ka thënë se zgjedhjet janë kryer dhe janë zhvilluar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

“Kur verifikohen zyrtarisht të gjitha mandatet, saktësisht do të dini se kujt qytetarët ua dhanë besimin që të përfaqësojnë interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës”.

Ndërsa i pyetur se kur do të formohet Asociacioni i Komunave serbe, Zbogar ka thënë se kjo do të ndodhë atëherë kur të miratohet statuti, pra kur të arrihet marrëveshja e pranuar për të gjithë.