Qeveria s’përzihet, zgjidhja të gjendet mes UP-së dhe shoqatave të UÇK-së

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se do të respektohet autonomia e Universitetit të Prishtinës, dhe ka kërkuar që çështja e studentëve të familjeve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të zgjidhjet sa më shpejtë mes këtyre të fundit. 

Lajme

29/12/2014 11:38

Ministri Bajrami në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se sot do të takojë përfaqësuesit e të dyja palëve, dhe kërkon nga ta që sa më shpejtë të gjejnë një zgjidhje konform ligjeve dhe marrëveshjeve në fuqi. 

“Jemi në një situatë shumë të ndërlikuar dhe të ndjeshme. Brenda pak ditësh përfundon semestri i parë i studimeve të vitit akademik 2014/15, dhe në anën tjetër kemi shumë fëmijë të familjeve të kategorive të luftës që kanë vazhduar ndjekjen e ligjëratave nëpër fakultete të ndryshme pa e gëzuar statusin e studentit të regjistruar, pa pasur një përgjigje për çështjen e tyre. Rrjedhimisht kjo çështje ka mbetur pezull deri më tash”.

“Sot do të takoj ndaras përfaqësuesit të universitetit dhe përfaqësuesve të organizatave të luftës së UÇK-së dhe si ministër i Arsimit do t’ua shpreh vullnetin tonë për të kontribuar në tejkalimin e këtyre vështirësive. Por gjithashtu duhet t’ua bëjë të qartë se palët nuk duhet të kenë pritje se Ministria e Arsimit mund t’ua zgjidhë këtë çështje”.

“Universiteti i Prishtinës dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së duhet ta kenë të qartë se për shkak të obligimeve ligjore, kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në diskutime mes tyre. Unë kërkojë nga të dy palët që me vullnet të mirë dhe mirëkuptim të zgjidhet kjo çështje. Zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet sa më shpejtë për shkak të kompleksitetit të çështjes. Zgjidhja duhet të ofrohet nga vetë Universiteti si institucion autonom, konform ligjeve në fuqi, marrëveshjeve në fuqi, dhe konform kushteve dhe kritereve akademike në konkursin e miratuar nga Senati i UP-së”, ka thënë ministri Bajrami. (lajmi.net).