Qeveria shkurton buxhetin në fushën me potencialin më të madh për zhvillim ekonomik

Qeveria Mustafa e ka parë si të pa rëndësishme fushën e teknologjisë informative. Nga mbi 2 milion euro që ishin paraparë nga qeveria e kaluar për investime kapitale në këtë fushë, qeveria aktuale, e ka ulur buxhetin në vetëm 200 mijë euro. Duket se kjo qeveri e ka parë më të arsyeshme ta rris buxhetin për investime kapitale nëpër ato komuna ku LDK ka më shumë elektorat, siç është Gjilani, Ferizaj, Pejë, se sa në zhvillimin e sektorit të së ardhmes. 

Lajme

06/01/2015 14:54

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, bashkë me ministrin e tij të Financave, Avdullah Hoti, e kanë nënvlerësuar sektorin e teknologjisë informative, edhe pse kjo sot në botë, llogaritet si fusha e cila nxitë më së shumti zhvillimin ekonomik. 

Me kërkesë të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa, Kuvendi i Kosovës miratoi, Buxhetin e vitit 2015 në të cilin janë planifikuar vetëm 200 mijë euro për shpenzime kapitale në teknologji informative. 

Ndërsa në anën tjetër, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa, ka vendosur që të rris buxhetin për investime kapitale në Gjilan, Ferizaj e Pejë, atje ku qeverisë LDK. Për shembull në komunën e cila drejtohet nga i forti i LDK-së, Lutfi Haziri, në vitin 2015 janë paraparë rreth mbi 2 milion euro më shumë grante qeveritare, se sa në vitin paraprak. 

Projektet e parapara për zhvillimin e sistemeve teknologjike qeveritare për t’u ofruar qytetarëve shërbime më të mira dhe efikase kanë mbetur të pafinancuara rreth dhjetë projekte. 

Këto janë projektet me zero euro: 1. Zgjerimi i rrjetit qeveritar ne te gjitha komunat e Kosoves, 2. Sistemi telefonik qeveritar (VOIP), 3. Interoperabiliteti, 4. Arkivimi Elektronik i dokumentave Shtetror, 5. Qendra operative e rrjetit, 6. Projekti për siguri të të dhënave, 7. Projekti për wireless, 8. Ngritja e resurseve për TI dhe avancimi i shërbimeve.  

I vetmi projekt i financuar me 200 mijë euro, është projekti i E-Qeverisjes. Përderisa, projekti i Interoperabilitetit ka mbetur i pafinancuar edhe pse interoperabiliteti i sistemeve të Teknologjisë Informative (TI) ka qenë kërkesë e vazhdueshme e BE-së për liberalizimin e vizave. 

Ndalja e financimit pritet po ashtu të dobësojë më tutje industrinë e TI-së në Kosovë e cila pritej të jetë njëra nga sektorët më premtues për zhvillim ekonomik. Po ashtu, kjo do të ndikojë në zvogëlimin e konkurrencës së kompanive vendore në krahasim me ato rajonale. (lajmi.net)