Qeveria publikon dokumentet ku e bazoi demarkacionin

Qeveria e Kosovës e ka publikuar përmbledhjen e dokumenteve në të cilat është bazuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Lajme

13/07/2016 10:37

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në zbatim të detyrimeve kushtetuese për përcaktimin dhe shënjimin e kufirit shtetëror, në vitin 2012 ka ndërmarrë nismën për përcaktimin e kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Me vendimin e Qeverisë nr.12/67 të datës 21.03.2012 është themeluar Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, në përbërje të të cilit janë ekspertë nga fusha të ndryshme, përkatësisht: z. Murat Meha (Prof. Dr. i Gjeodezisë), z. Sylë Ukshini (Doktor i shkencave të Historisë), z. Tefik Basha (Prof Dr. i Gjeografisë), z. Besim Kajtazi (Magjistër i shkencave juridike) dhe z. Shaban Guda (Kolonel i policisë së Kosovës)”, shkruan në hyrjen e këtij dokumenti të publikuar nga Qeveria.

Për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës së kufirit, Qeveria thotë se Komisioni është bazuar në parimet botërisht të pranuara (Legaliteti, Regjistrimi dhe Uti posedditis) dhe detyrimet që lindin në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Deklaratës për Shpalljen e Pavarësisë. Puna konkrete e tij, sipas Qeverisë, është orientuar prej dokumenteve në vijim: Propozimi gjithëpërfshirës i Marti Ahtisarit për përcaktimin e statusit të Kosovës, Marrëveshjes së Kumanovës të datës 10 Qershor 1999, konkluzave të Komisionit Badinter për ish RSFJ 1991/93 dhe Kushtetutës së RSFJ-së 1974, që ishte në fuqi më 31 Dhjetor 1988.

“Rezultatet e punës së komisionit janë në përputhje me kërkesat e Rezolutës së Parlamentit të Kosovës të Qershorit 2015 dhe Konkluzionet e Asamblesë Komunale të Pejës në Mars 2015’, thuhet ndër tjera të këtë dokument.

Në linkun më poshtë i gjeni dokumentet.

http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,281