Qeveria në Maqedoni nuk mund të funksionojë pa shqiptarët

Ermira Mehmeti nga BDI tha për lajmi.net se bazuar në realitetin politik dhe etnik në Maqedoni, asnjë qeveri nuk mund të funksionojë pa shqiptarët. Ajo ka thënë se është herët të flitet nëse partia e saj do të hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE, por që, nëse hyn do të mundohet të realizojë tërë programin e vet politik.

Lajme

28/04/2014 21:10

Maqedonia votoi të dielën për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe për zgjedhjet parlamentare.

Partia e Nikola Gruevskit, VMRO-DPMNE doli fituese e këtyre zgjedhjeve, duke fituar 61 ulëse në parlament. Ndërkaq, nga partitë shqiptare doli fituese partia Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila fitoi ulëse për 19 deputetë, duke lënë kështu prapa PDSH-në, e cila fitoi 7 deputetë.

Bartësja e listës së BDI-së, Ermira Mehmeti e ka vlerësuar këtë fitore si një fitore rekorde.

Në një intervistë për lajmi.net, Mehmeti  tha se oferta konkrete e BDI-së u mirëprit dhe u vlerësua nga qytetarët.

“Faktikisht kjo është një fitore e madhe dhe historike për Bashkimin Demokratik për Integrim sepse paraqet një fitore rekorde, më e madhja deri tani dhe ne jemi shumë të kënaqur për rezultatin e arritur. Kemi bërë një fushatë pozitive, një fushatë afirmative në një frymë evropiane, me program zgjedhor, me ofertë konkrete dhe jemi të kënaqur që kjo ofertë u prit pozitivisht dhe u vlerësua nga qytetarët”.

Duke folur për koalicionin e mundshëm ndërmjet BDI-së dhe VMRO-DPMNE, Mehmeti tha se është herët të flitet për një koalicion të mundshëm. Sipas saj, kjo çështje do të bëhet e ditur në ditët në vijim.

“Në këtë moment është shumë herët për të bërë vlerësime se a do të ketë koalicion qeveritar ose jo”.

“Se si do të duket qeveria dhe kush do të jetë në qeveri, kjo mbetet të shihet, besoj në ditët në vijim. Për momentin është shumë herët dhe nuk dua të bëjë vlerësime”.

Ermira Mehmeti thotë se deklarimet gjatë fushatës bërë nga VMRO-DPMNE, se “Qeveria e ardhshme do të jetë pa shqiptarë”, nuk qëndron, sepse, sipas saj, një qeveri e tillë në Maqedoni, pavarësisht se nga cila parti maqedonase udhëhiqet, nuk do të mund të funksiononte.

“Nuk e besoj se ka bërë një fushatë se do të ketë qeveri pa shqiptarët dhe në Maqedoni realiteti politik dhe etnik është i tillë sa koalicionet qeveritare nuk mund të funksionojnë pa shqiptarët, cilado qoftë ajo”.

Mehmeti nuk dëshiroi të komentojë as deklaratën e ish-kryeministrit Lubço Georgievski, i cili duke ju përgjigjur deklarimeve që vinin nga VMRO-DPMNE, kishte thënë se “një qeveri pa shqiptarët do të thotë luftë në Maqedoni brenda një jave”.

Ajo tha se këto deklarime u përkasin fushatave dhe BDI ka qenë e koncentruar që të afirmojë programin e saj.

”Çfarë flasin partitë në fushatë, besoj se ju përket fushatave. Nuk mund të them se është në rregull por as nuk e arsyetoj. Për ne si parti politike ka qenë më e rëndësishme që ta afirmojmë dhe deri në fund të punojmë për një fitore të madhe, dhe për afirmimin e programit tonë zgjedhor”.

E pyetur nëse BDI bën pjesë në koalicionin e ardhshëm qeverisës, dhe se cilat pika të programit do të mundohet që t’ia imponojë qeverisë së re, Ermira Mehmeti tha se BDI do të hyjë në qeveri si fitimtare dhe do të mundohet të realizojë gjithë programin e saj.

”Kur të hyjmë në Qeveri ne nuk do të hyjmë për t’ia imponuar Qeverisë, por hyjmë në qeveri për t’i realizuar pikat e programit tonë qeverisës”.

“Ne do të hyjmë në Qeveri si fitimtarë për të realizuar programin tonë, gjithmonë ashtu kemi bërë dhe do të bëjmë në vijim. Se si do të duket programi qeveritar për momentin është herët që të flasim”.

Mehmeti beson se zgjedhjet parlamentare të së dielës kanë qenë transparente dhe demokratike dhe se nuk ka pasur manipulime.

“Nuk e besoj të ketë pasur manipulime. Atmosfera ka qenë absolutisht demokratike, në një frymë maksimalisht të lirë, transparente dhe procesi është monitoruar edhe nga monitoruesit e jashtëm dhe nga ata vendorë. Nuk ka pasur vërejtje për manipulime”, tha Ermira Mehmeti për lajmi.net.