Qeveria ndan 20 milionë euro për mësimdhënësit por nuk arrin marrëveshje me SBASHK-un

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është takuar sonte me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Lajme

20/01/2019 19:42

Haradinaj ka bërë të ditur se Qeveria ka vendosur të rrisë pagat për mësimdhënësit dhe ka kërkuar nga SBASHK-u ta ndërpresë grevën.

Kryeministri ka theksuar se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro rritje në Arsim.

Ai ka thënë se nuk kanë marrë konfirmim të pajtimit nga përfaqësues të SBASHK-ut.

Haradinaj ka shtuar se rritja substanciale e pagave është votuar nga të gjitha partitë, dhe është e përkrahur edhe nga ministri i Financave.

“Për mësimdhënësit e Shkollave të Mesme paga është rritur nga 523 në 597 euro, që i bie 74 euro rritje nga paga aktuale. Për arsimin Fillor nga 479 në 525 euro, rritja është 46 euro. Për arsimin Parashkollor ka rritje nga 447 në 501 euro, rritja 54 euro”, ka sqaruar ai, raporton lajmi.net.

Tutje, kryeministri ka thënë se bëhet fjalë për 30 mijë mësimdhënës duke shtuar se ka kërkuar nga SBASHK-u të nis nesër mësimin.

“Kërkojë nga ta që nesër të fillojnë mësimin. Nëse ata vazhdojnë me bindjen të rrijnë në grevë se do ketë ofertë tjetër po ju tregojë se nuk kemi. Ata që ju japin këshilla se mund të ndodhë edhe një ofertë i bëjnë kalkulimet gabim”, është shprehur i pari i qeverisë.

Ai ka shtuar se nuk ka marrë ndonjë aprovim nga përfaqësuesit e SBASHK-ut./Lajmi.net/