Qeveria Mustafa, e përgjumur dhe pa program për zgjidhje problemesh

Sipas disa analistëve, qeveria e re e vendit po tregon një ngathtësi derisa vendi vazhdon të përballet me probleme të shumta.

Lajme

15/01/2015 21:35

Astrit Gashi thotë se ende nuk kemi parë asgjë nga qeveria e re. Sipas tij, qasja e kryeministrit Isa Mustafa është e përgjumshme.

“Ende nuk e kemi parë qeverinë e re. Ka një qasje shumë të ngadalshme, gati se të përgjumshme të kryeministrit të ri. Qeverisja e z. Mustafa me çështjen e buxhetit ka treguar se nuk ka një iniciativë të re. Nuk është se LDK ka ardhur në qeveri pa pritur. Ajo ka qenë një parti opozitare dhe një parti opozitare do të duhej ta kishte njëfarë plani qeveritar”, tha ai në emisionin Rubikon të KTV-së.

Për Imer Mushkolajn, veprimet e kryeministrit Mustafa janë sikur ai të ishte një kryeministër i vendeve skandinave.

“Mënyra e veprimit të z. Mustafa ma krijon përshtypjen sikur është në ndonjë vend skandinav, ku qeveritë merren me ato probleme të pakta që i kanë”, thotë ai.

“Apati totale, mungesë e entuziazmit, që u përmend. Të gjithë e dimë se Kosova është në situatë të vështirë ekonomike dhe sociale dhe ky do të duhej të ishte shqetësim i z. Mustafa, jo vetëm në fillim të qeverisjes por gjatë gjithë kohës. Nëse ka pranuar të jetë kryeministër, atëherë duhet të jetë kryeministër përnjëmend”, tha Mushkolaj.

Ndërkaq, Berat Buzhala tha se nuk pret rezultate të mëdha në këtë fillim qeverisjeje, por si qytetar ka pritur që ta dinte se cila është mënyra e adresimit të problemeve nga kryeministri Mustafa.

“Ajo që pajtohem me kolegët është se nëse Mustafa nuk është marrë me zgjidhjen e problemeve, ai ka mundur të na tregojë se si do t’ia bëjë me zgjidhjen e këtyre problemeve. Unë si qytetar kam pritur që ai të vizitojë QKUK-në. Unë nuk po pres rezultatet e para, por kam pritur më shumë energji prej tij në adresimin e problemeve. Por deri më tash ka çaluar në këtë drejtim”, tha Buzhala.

Edhe Leon Malazogu vlerësoi se LDK duhet të dalë nga gjendja në të cilën është, sidomos tani kur është në qeverisje.

“A mund t’i menaxhojë LDK apetitet e emrave brenda partisë”, shtori ai pyetjen.