Qeveria mos t’i shfrytëzojë asetet publike për fushatë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike i ka bërë thirrje Qeverisë në largim që të mos shfrytëzoj asetet publike në kohë të fushatës. Sipas tyre një gjë e tillë është shkelje e standardeve demokratike.

Lajme

29/05/2014 15:09

Sipas Grupi për Studime Juridike dhe Politike paralajmërimet në media që Qeveria do të nënshkruajë një kontratë qindra milionëshe për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup në kohë të fushatës, është shkelje e standardeve demokratike.

Sipas tyre shfrytëzimi i punonjësve publikë në një video promocionale në llogarinë-personale të kryeministrit në Youtube, janë shembuj që dëmtojnë procesin zgjedhor.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike për mes një komunikate për media, u ka bërë thirrje partive politike të respektojnë detyrimet ligjore për mos shfrytëzim të aseteve dhe resurseve publike.

“Grupi për Studime Juridike dhe Politike i bën thirrje Qeverisë në largim që të mos ndërmarrë veprime të cilat reflektojnë negativisht në procesin zgjedhor dhe përbëjnë keqpërdorim të pushtetit në garën zgjedhore”.

“Paralajmërimet në media që Qeveria do të nënshkruajë një kontratë qindra milionëshe për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup në kohë të fushatës zgjedhore, përbën një veprim që shkel standardin demokratik të procesit zgjedhor dhe dëmton barazinë e palëve në këtë proces”.

“Një veprim i tillë do ta vendoste Qeverinë në largim në marrjen e një drejtimi strategjik që prodhon shpenzime të jashtëzakonshme buxhetore, dhe një qeveri në largim nuk ka legjitimitetin demokratik për ta bërë një hap të tillë”.

“Është e pa pranueshme shfrytëzimi i postit për marrjen e vendimeve të një rëndësie madhore për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë dhe për të përfituar mbështetje elektorale gjatë kohës së fushatës. Bazuar në parimet e rëndësishme të demokracisë, një qeveri e cila nuk ka mbështetjen e Kuvendit nga i cili është zgjedhur, nuk duhet të vendosi për çështje që kanë impakt në jetën ekonomike, politike dhe sociale të vendit”.

“Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon nga partitë politike që të respektojnë detyrimet ligjore për mos shfrytëzim të aseteve dhe resurseve publike (si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal) për qëllime propaganduese për aktivitetet zgjedhore, meqë kjo përbën shkelje të ligjit”.

“Shembulli i shfrytëzimit të punonjësve publik në një video promocionale në llogarinë personal të kryeministrit në Youtube, shfrytëzimi i shërbyesve publik për të krijuar imazhin e përkrahjes duke i nxitur ata që të bëjnë pyetje prej pozitës së tyre përfaqësuese të sektorit në tubime masive politike, apo edhe nxitja e shërbyesve publikë për të marrë pjesë në fushatë zgjedhore, janë shembuj që dëmtojnë seriozisht procesin zgjedhor”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Grupi për Studime Juridike dhe Politike.