Qeveria miraton Buxhetin 2014

Kryeministri Thaçi e konsideron buxhetin e vitit 2014 si buxhet të mirëqenies dhe rritjes ekonomike. Ministri Beqaj tha se ky buxhet mundëson rritjen e pagave. Ministri Agani votoi kundër këtij buxheti.

Lajme

31/10/2013 11:52

Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2014, i cili nga Kryeministri Hashim Thaçi u vlerësua si buxhet i mirëqenies dhe i zhvillimit ekonomik.

“Ky buxhet është buxhet i vazhdimit të zhvillimit ekonomik, i rritjes ekonomike, i krijimit të vendeve të reja të punës i rritjes së mirëqenies sociale, investimeve në shumë sektorë, investimeve kapitale”.

“Është e rëndësishme që janë siguruar mjetet për përmbylljen e plotë të autostradës së Kombit. Janë siguruar dhe mjetet për fillimin e ndërtimit të autostradës së re Prishtinë-Ferizaj Kaçanik dhe Hani i Elezit”.

Ministri i Financave, Besim Beqaj duke paraqitur draftin e këtij buxheti, tregoi se në vitet e ardhshme do të ketë rritje të konsiderueshme në të gjitha sektorët, dhe sipas këtij buxheti mundësohet rritja e pagave.

“Ne do të jemi të gatshëm të vazhdojmë me rritjen e pagave për vitin 2014. Kjo rritje bëhet duke parë nevojën e përmirësimit të infrastrukturës shkollore, objektet e administratës publike etj”.

“Totali i shpenzimeve për vitin 2014 pritet të jetë 1 miliard e 590 milionë euro, që paraqet një rritje krahasuar me vitin 2013”.

“Shpenzimet kapitale do të jenë në vlerë prej 531 milionë dhe nga totali i buxhetit ato do të jenë 33%, investimet që janë autostrada në drejtim të Shkupit, rruga M2 dhe M9, projektet që janë ndër më të mëdhatë në nivel rajonal”.

“Vlerësojmë se ekonomia do të vazhdojë të rezistojë nga goditjet e jashtme dhe rrjedhimisht rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë pozitive dhe ndër më të lartat në rajon dhe më gjerë”.

“Ky buxhet parasheh financimin e  reformave të Qeverisë në sektorin e arsimit, shëndetësisë, administratës publike etj”.

Ndërkaq Ministri Beqaj deklaroi se pritet të ketë rritje të çmimeve prej 1.5%, por theksoi se marrë në përgjithësi ky buxhet shënon rritje në shumicën e sektorëve. Ai gjithashtu tregoi se ministrive u është rritur buxheti.

“Kemi rritje te Ministria e Bujqësisë prej 5 milionë, Ministria e Shëndetësisë 7 milionë , Ministria e Arsimit 5 milionë, Ministria e Punës 23 milionë, Ministria e Punëve të Brendshme 7 milionë Ministria e Forcës 3 milionë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës 1 milionë, Prokuroria e Shtetit 1 milionë, Ministria e Diasporës 2.2 milionë”.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani kërkoi që Qeveria të fillojë të jap kredi të buta në sektorin e mjekësisë, dhe kur mori fjalën për herë të dytë, Kryeministri Thaçi i tha të mbajë shënime dhe ia ndërpreu fjalën. Agani ishte ministri i vetëm që votoi kundër këtij projekt buxheti, i cili pritet t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe votim.