Qeveria merr grant 5 milionë euro

Ministri në largim i Financave, Besim Beqaj, nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë Suedeze për dhurimin e një granti prej 5 milionë euro. Ky grant do tu ndihmojë komunave të Kosovës për përmirësimin e tatimit në pronë dhe për të vazhduar me tatimin në toka.  

Lajme

13/05/2014 17:28

Ministri në largim  i Financave, Besim Beqaj, ka nënshkruar një marrëveshje me SIDA-n suedez, përmes së cilës, institucioneve të Kosovës do tu jepet një grant prej 5 milionë euro. Ky grant do t’u ndihmojë komunave të Kosovës që të vazhdojnë procesin e filluar më herët për përmirësimin e tatimit në pronë dhe për të vazhduar me tatimin në toka. 

Ministri i Financave, Besim Beqaj, vlerësoi lartë kontributin e SIDA-së suedeze për zhvillimin e projektit për ngritjen e sistemeve të tatimit në pronë dhe tatimit në toka.

Ai tha se projekti i realizuar në periudhën 2008 -2012 për ngritjen e tatimit në pronë ishte i suksesshëm.

“Dua të falënderoj Qeverinë Suedeze, SIDA-n dhe taksapaguesit suedez për kontributin e dhënë deri më tani. Sot kemi një databazë prej 600 mijë pronash të regjistruara dhe një sistem i cili është duke funksionuar. Është konsideruar, që për stabilitet të mëtutjeshëm të komunave duhet të vazhdohet me tatimin në toka”, tha Beqaj, thuhet në një komunikatë nga Ministria e Financave.

“Synimi i jonë është që të krijojmë decentralizim të plotë të shërbimeve, shërbime sa më afër qytetarëve, sa më cilësore dhe me stabilitet sa më të madh fiskal”, tha ai.

Ndërkaq, Henrik Nilsson, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë tha se Qeveria e vendit të tij është shumë e lumtur që të vazhdojë bashkëpunimin dhe kontributin në sistemin e tatimit në pronë për zhvillimin e komunave të Kosovës.

“Ne jemi të lumtur shumë që projekti nga 2008 deri në 2012 ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka dhënë rezultate shumë të mira”.

“Dhe tani në katër vitet e ardhshme edhe komponenta e tatimit në tokë do të përfshihet në sistemin e tatimit në pronë. Ne, natyrisht shpresojmë që kjo do të kontribuojë në faktin që komunat ta konsiderojnë tatimin në pronë si një prej burimeve kryesore të të hyrave të tyre”, tha Nilson.

Ai theksoi se ky kontribut, prej 5 milionë eurove është një prej angazhimeve më të mëdha në planin tonë afatgjatë që e kemi për shtetin e Kosovës.