Qeveria mbledhje tjetër për mandatin e EULEX-it

Në lidhje me vazhdimin e mandatit të EULEX-it qeveria pritet të mbajë një mbledhje tjetër sot mes orës 17 e 30 dhe 18:00.

Lajme

15/06/2016 14:21

Qeveria është duke pritur letrën e përfaqësueses Lartë të BE-së Federica Mogherini në mënyrë që në bazë të letërkëmbimit të saj me Presidentin Thaçi, projektligjin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it t’ia dërgojë Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, në pikat e rendit të ditës, nuk ishte paraparë vazhdimi i mandatit të EULEX-it.

Në këtë mbledhje Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se është arritur marrëveshja që Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit t’i vazhdohet mandati edhe për dy vjet, shkruan KALLXO.com

“Kemi arritur marrëveshje lidhur me EULEX-in. Presim sot ta marrim këmbimin e letrës nga Mogherini, ne do ta mbajmë edhe një takim pasdite ku do të aprovojmë ligjin, ku nesër do t’ia dërgojmë Kuvendit në shqyrtim dhe aprovim”, tha Mustafa.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se projektligji për vazhdimin e mandatit të EULEX-it do të përmbajë letërkëmbimin e plotë të Presidentit Thaçi me Mogherinin, por atij do t’i ndryshohet njëra nga pikat.

Kuçi nuk tregoi se çfarë do të ndryshohet në këtë projektligj, por tha se projektligji me këtë ndryshim do t’i shkojë Kuvendit nesër në mbledhjen e rregullt.