Qeveria maqedone e refuzoi kërkesën e Gruevskit për shtimin e sigurisë së tij

Ministria e brendshme e Maqedonisë e ka refuzuar kërkesën e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, aktualisht lider i partisë më të madhe opozitare, për ta shtuar sigurinë e tij, për shkak të një kërcënimi të paspecifikuar ndaj tij.

Lajme

13/09/2017 07:45

Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, tha se aktualisht 6 rojtarë personalë e mbrojnë zotin Gruevski dhe familjen e tij dhe kjo mjafton.

Spasovski tha mbrëmë se truprojat e Gruevskit aktualisht nuk kanë raportuar për ndonjë kërcënim ndaj tij ose familjes së tij.

Partia WMRO-DPMNE e zotit Gruevski ka kërkuar së paku 20 truproje shtesë, “pasi është vlerësuar se ekziston nivel i lartë i kërcënimit për jetën e tij dhe për integritetin personal”, raporton agjencia AP nga Shkupi.

Ish-kryeministrat e Maqedonisë kanë të drejtë për siguri të përbërë prej gjashtë truprojave, për aq gjatë sa ishin në zyre.

Gruevski ishte kryeministër prej gushtit të vitit 2006 e deri në janar të vitit të kaluar.