Qeveria maqedonase nuk e mban premtimin për strehim

Edhe pse Qeveria premtoi strehim me qira për familjet të cilat pësuan dëme nga aksioni policor në Kumanovë, një hap i tillë ende nuk është ndërmarr.

Lajme

19/05/2015 18:27

Familjarët enden gjithandej duke kërkuar vendstrehim tek të afërmit e tyre.

“Për momentin nuk kemi asnjë ofertë prej institucioneve shtetërore dhe as komunale. Për momentin jam në një apartament 55 metra katror, jemi 8 anëtar të familjes. Gjendja është shumë e keqe. Bëj apel që të na ofroj zgjidhje shteti dhe jo njerëz, sepse kemi oferta shumë nga miq dhe dashamirë, mirëpo kërkojmë nga shteti të na ofrojnë apartament apo diçka, sepse jemi 8 anëtar dhe jemi shumë ngushtë. Kemi problem edhe për një gotë ujë, e lëre më për tjera. Kanë filluar të ndahen familjet, enden nëpër shtëpi të ndryshme”, thotë një qytetar nga Lagja e Trimave shtëpia e të cilit është dëmtuar nga luftimet e 9 majit.

Kreu i Komisionit për verifikimin e dëmeve Ejup Halimi, njoftoi televizionin Alsat se raporti nga verifikimi i dëmeve është dorëzuar në Qeveri dhe se i njëjti është prolonguar për shkak të mungesës së dokumentacionit të disa shtëpive.

Halimi tha se gjatë dy ditëve, Ministria e Financave do të ndaj edhe mjetet e para për sigurimin e vendstrehimeve fillimisht për familjet të cilat i kanë shtëpitë plotësisht të shkatërruara. Gjatë mbrëmjes së kaluar është dezinfektuar lagja, ndërsa gjatë ditës së sotme ekipe të ndryshme punonin për pastrimin e terrenit, kryesisht në largimin e veturave të shkatërruara. Rrënojat ende qëndrojnë nëpër oborret e shtëpive.