Qeveria kthen për riformulim projektligjin mbi shpifjen

Qeveria e Shqipërisë ka tërheq për riformulim projektligjin e shumëdiskutuar mbi shpifjen, bëhet e ditur në një njoftim të Qeverisë.

Lajme

12/11/2015 14:52

Pas pretendimeve të Partisë Demokratike se “projektligji i ri për kriminalizimin e shpifjes, synon të godasë median e lirë si dhe opinionin e çdo qytetari ndaj mazhorancës, duke i ndjekur penalisht këta të fundit”, qeveria ka reaguar përmes një njoftimi të shpërndarë në faqen “Tansparenca.al”.

Në njoftim thuhet se për shkak të hapësirave për keqinterpretim që mund të ketë lënë formulimi i projektligjit, ky i fundit është tërhequr për t’u riformuluar.

“Në të kundërt nga ajo çfarë pretendon Partia Demokratike, ashtu edhe siç Kryeministri ka pohuar, është kërkuar vetëm kriminalizimi me ligj i shpifjes për shkak të detyrës, për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose i një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik. Duke qenë se formulimi i projektligjit linte mesa duket hapësirë për të keqinterpretuar dhe përfshirë edhe median në objektin e vet, projektligji është tërhequr për t’u riformuluar në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj paqartësie”, thuhet në sqarimin e qeverisë.

Sqarimi citon edhe një deklaratë të kryeministrit Rama bërë në 12 shkurt të këtij viti, në të cilën është shprehur arsyeja dhe objekti i kërkesës për të kriminalizuar shpifjen për shkak të detyrës.

“Arsyen dhe objektin e kërkesës për të kriminalizuar shpifjen për shkak të detyrës të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, ose partive politike parlamentare, Kryeministri Rama e ka shprehur qartësisht në fjalën e tij në seancën parlamentare të datës 12 shkurt 2015.

“Ne do të kërkojmë kriminalizimin një orë e më parë me ligj të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose i një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik”, përfundon njoftimi.