Qeveria me komision për Projektligjin e Trepçës

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur ka miratuar propozim vendimin, për themelimin e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Trepçën. Kryesues i këtij komisioni do të jetë ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ndërsa që në përbërje të këtij komisioni do të jenë ministra, udhëheqësit e Trepçës dhe ekspertë të kësaj fushe.

Lajme

15/03/2016 13:22

Ky vendim u kundërshtua nga tre ministrat që vijnë nga komuniteti serb. Pavarësisht këtij kundërshtimi, kryeministri i vendit Isa Mustafa shprehu besimin se Kuvendi do ta miratojë këtë projektligj. Ndërsa tha se ky komision do të ketë përbërje gjithëpërfshirëse dhe se do të bëhet përpjekje, që në këtë proces të kyçen të gjitha palët e interesuara, me qëllim që zgjidhja të jetë në harmoni me interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Unë mendoj se themelimi i këtij komisioni, për hartimin e ligjit paraqet hapin e fundit, që Qeveria po ndërmerr, në realizimin e premtimeve të saj, që i ka dhënë për zgjidhjen afatgjate të statusit të Trepçës, e cila kompani tani gjinden nën qeverisjen e AKP-së. Ne do të dëshironim që gjatë këtij procesi, të kemi të gjitha im putet dhe prej shoqërisë civile, qytetarëve, profesionistëve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe më të qëndrueshme, për Trepçën”, tha Mustafa.

Ndërsa tha se për Trepçën asnjëherë nuk do të bisedohet në Bruksel, sepse ajo është pronë e Republikës së Kosovës.

“Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel. Sepse ne me askënd nuk do të bisedojmë lidhur me pronat e republikës së Kosovës. Trepça është pronë e republikës së Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërkohë, në mbledhjen e Qeverisë, u ngrit edhe çështja e arrestimit nga autoritetet maqedonase, të zyrtarit të Ministrisë së FSK-së, Gafurr Dugolli ne bazë të një flet arresti të Serbisë. Me këtë rast u kërkua që të ndërmerren veprimet diplomatike dhe ligjore që Dugolli të lirohet sa më shpejt dhe mos të përsëriten fletarreste të tilla për ish pjesëtarët e UÇK-së.

Ministri i FSK-së Haki Demolli tha se qeveria e Kosovës, duhet të bisedojë me qëllim që në të ardhmen mos të përsëriten fletë arreste të tilla.

“Kërkoi nga ministritë përkatëse, respektivisht nga Qeveria e Kosovës, që të vazhdoi me ndërmarrjen e veprimeve diplomatike dhe ligjore, me qëllim të lirimit të sa mëparshëm të Gafurr Dugollit. Dhe të njëjtën kohë të shikohet mundësia që të bisedohet, që në të ardhmen mos të përsëriten flet arreste të tilla për ish pjesëtarët e UÇK-së.”, tha Demolli

Ndërsa ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme Petrit Selimi,tha se janë në kontakt të përhershëm me autoritetet maqedonase dhe se Dugolli duhet të lirohet konform procedurave. Ndërsa kërkoi që kjo çështje të mos politizohet dhe të mos bien pre e provokimeve të Serbisë.

“Jemi në kontakt të përhershëm me autoritetet maqedone, për zbërthimin e këtij rasti. Kjo është hera e dytë vetëm në 12 muajt e fundit, që ish pjesëtarë të UÇK së arrestohen. Kemi pasur dhe lider institucional. Çështja e fletarrestimeve të lëshuara në Interpol nga ana e institucioneve të Serbisë në mënyrë jo legjitime, jo legale, duhet të adresohet në Bruksel, konform dialogut. Sepse është tash e 10 vjet është problem afatgjatë“, tha ai./kp