Qeveria kërkon ekspertizë për sqarimin e vdekjes së Astrit Deharit

Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që të zhvillohet ekspertizë e pavarur për sqarimin e rrethanave që quan në vdekjen e Astrit Deharit, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 5 nëntor, në rrethana të pasqaruara në burgun e Prizrenit.

Lajme

07/11/2016 15:27

Ekspertiza do ta qartësoj vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Ajo ka konfirmuar se në ekspertizë po marrin pjesë ekspertët që ka propozuar familja e të ndjerit dhe ekspertë nga misioni i EULEX-it.

Po ashtu, ministrja Hoxha ka theksuar se me qëllim të rishikimit dhe sqarimit sa më transparent të rastit, kanë angazhuar edhe Inspektoratin e Shërbimit Korrektues, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe posa të dalin me të gjeturat e tyre, këtë raport do ta bëjmë publik.

Në pajtim me të gjeturat e dala, do të ndërmerren hapat dhe veprimet tjera, ka thënë Hoxha.

Në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë janë të pranishëm edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, si dhe përfaqësuesi i familjes, Sami Kurteshi.

Aktivistii Lëvizjes vetëvendosje, vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren. Ai gjendej në këtë qendër si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që ndodhi në korrik të këtij viti.

Pas konfirmimit të vdekjes, familja e Dehari ka ngritur dyshime rreth vdekjes së Astritit, dhe ka kërkuar ekspertizë gjithëpërfshirëse.