Qeveria ka plan për sistemimin e ilegalëve

Asnjë nga serbët që kanë punuar në administratën ilegale në komunat veriore të Kosovës nuk do të mbetet pa punë.

Lajme

29/12/2014 07:48

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka thënë se do të krijohet një grup punues, i cili do të hartojë një plan integrimi për stafin tepricë, të cilët në një periudhë kohore brenda tre vjetëve do të sistemohen në njësitë administrative që pritet të krijohen në veri.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Tahiri ka thënë se tani janë pjekur kushtet që Brukseli të vihet në veprim për largimin e barrikadave në veri të Kosovës.

Derisa përfaqësuesit e shqiptarëve në veri thonë se ilegalët dhe legalët janë bërë bashkë për të penguar kthimin e shqiptarëve të zhvendosur pas lufte nga kjo pjesë e Kosovës, ish-kryenegociatorja Tahiri ka thënë se janë ilegalët ata që po pengojnë puënn e institucioneve të dala nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Edhe pse nuk është caktuar ende agjenda e takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, Qeveria e Kosovës ka renditur temat që planifikon t’i qesë në tryezën e bisedimeve.

Së pari, është drejtësia, së dyti zhbërja e Mbrojtjes Civile dhe së treti krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe, shkruan ndër të tjera e përditshmja Koha Ditore.