Qeveria Haradinaj beson se ministrat serbë do t’i kthehen punës

Pas arrestimit të drejtorit të Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, Lista Serbe e cila ishte në koalicion qeverisës ka braktisur Qeverinë Haradinaj.

Lajme

19/04/2018 20:01

Lista Serbe e cila kishte tri poste ministrore tani është rreshtuar në krahun e opozitës në Kuvend, ndërsa Ministritë kanë mbetur pa ministra.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim i takonin kësaj partie, shkruan lajmi.net.

Këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi ka thënë për lajmi.net se këto dikastere janë funksionale pasi kanë zëvendësministrat dhe shërbimi civil po kryen punën e vet konfrom planit qeveritar.

Arifi beson se të njëjtit ministra do të kthehen në postet e tyre.

“Besojmë se së shpejti do të adresohet kjo çështje dhe ministrat do t’i kthehen punës së vet”, ka theksuar Arifi.

Largimin e Listës Serbe, kryeministri Haradinaj ka thënë se e sheh si të pakuptimtë dhe të njëanshëm pasi sipas tij arrestimi i Gjuriqit ishte zbatim i një procedure nga ana e policisë dhe jo veprim drejtuar ministrave apo zyrtarëve serbë.

Sido qoftë, sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo iu është kryer punës. Ai në rolin e ministrit së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Greg Delawie dhe Ambasadorin e Hungarisë, László Markusz kanë vizituar fermerët e Komunës së Junikut.

Përveç paraqitjes së Rikalos, dy ministrat tjerë serb nuk janë parë në publik që nga deklarimi se janë larguar nga Qeveria Haradinaj. /Lajmi.net/