Qeveria gjermane angazhohet për të mbrojtur emigrantët

Një ditë pasi një azilkërkuese 23-vjeçare është gjetur e vrarë në një strehë refugjatësh në Gjermani, ministri i Brendshëm gjerman, Tomas de Mazier, deklaron se Qeveria do të bëjë çmos për të luftuar sulmet ndaj qendrave të azilkërkuesve.

Bota

13/08/2015 22:32

“Ka një numër në rritje sulmesh ndaj institucioneve të azilkërkuesve dhe vetë azilkërkuesve. Kjo është e pakuptueshme, e papranueshme dhe aspak dinjitoze për vendin tonë. Ne do të punojmë kundër kësaj tendence me të gjithë fuqinë e sundimit të ligjit dhe pushtetin politik që ne kemi,” tha de Mazier para reporterëve teksa po vizitonte një qendër.

Rreth 150 streha të ngritura së fundmi janë sulmuar, dëmtuar ose shkatërruar gjatë këtij viti, shpeshherë nga zjarrvënës që nuk dëshirojnë qendra azilkërkuesish në qytetet e tyre. Madje, në njërën prej qendrave të djegura në qytezën Vorra ishin pikturuar simbole naziste në mur.

Një numër rekord prej 450 mijë refugjatësh dhe azilkërkuesish që largohen nga Ballkani, Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia pritet të mbërrijnë në Gjermani këtë vit.

Numri në vitin 2014 ka qenë vetëm 200 mijë, gjë që ka shtrënguar autoritetet të shtojnë përpjekjet humanitare për t’i ushqyer dhe strehuar ata. /OraNews/