Qeveria favorizon kafenë, heq akcizën

Zyrtarë të Qeverisë deklarojnë se e kanë hequr akcizën për kafe, me qëllim që të ndalohet importi ilegal i saj. Ndërsa njohës të çështjeve ekonomike kanë bërë thirrje që sa më parë të rikthehet akciza për kafenë. 

Lajme

01/09/2014 09:42

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk aplikon akcizë për kafenë, për asnjë lloj të saj, përderisa ajo aplikohet edhe në BE, shkruan “Koha Ditore”.

Deri në vitin 2010 Kosova ka aplikuar akcizën për kafe, e cila është paguar nga 60 centë për kilogram për kafe të pjekur, dhe nga 30 centë për kilogram për kafe të papjekur.

Zyrtarë të Qeverisë deklarojnë se e kanë hequr akcizën për kafe, me qëllim që “të ndalohet importi ilegal i saj”. Ndërsa njohës të çështjeve ekonomike kanë bërë thirrje që sa më parë të rikthehet akciza në kafenë. Ata konsiderojnë se “mosaplikimi i akcizës për kafe, e cila është produkt luksi e jo i domosdoshëm për jetë, nuk ka logjikë ekonomike”.

Në Doganën e Kosovës konfirmojnë se prej vitit 2010 nuk aplikohet akciza për kafe, përderisa ajo në duhan dhe alkool dhe mallra të tjerë, si veturat, vazhdon të aplikohet.